http://rahovecpress.com/wp-content/uploads/2015/05/20130925225339302577.jpg - 20130925225339302577

Duke parë se nevojat konsumuese për trangujt po rriten nga viti në vit, fermerët vendorë po i shtojnë edhe sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë bujqësore. E qendrat tregtare dhe hotelet e ndryshme që operojnë në Kosovë, janë ato që po i rrisin kërkesat për këtë produkt, e të cilat furnizimin po e bëjnë kryesisht nga prodhuesit vendorë. Ky bashkëpunim po sjell edhe lehtësi të madhe për kultivuesit e trangujve, të cilët nuk po e kanë problem plasimin e prodhimeve të tyre në tregun vendorë. Madje, për këta prodhues tashmë në përfundim e sipër janë edhe punimet për ndërtimin e tri qendrave të mëdha grumbulluese për grumbullimin dhe ruajtjen e pemëve dhe perimeve.

Izet Kastrati nga fshati Raushiq i Pejës traditat familjare të marrjes me bujqësi dhe të kultivimit të kulturave të ndryshme bujqësore i ka vazhduar me sukses. Ai thotë se është i kënaqur me kulturat që po i kultivon në tokën e tij, pasi nga to Kastrati thotë së po siguron të ardhurat për familjen e tij 22 anëtarëshe. “Me bujqësi ne kemi filluar të merremi qysh në vitet e 50’ta, ku kemi bërë kultivimin në mënyrë më primitive, por tash pas lufte e kemi ndryshuar ketë mënyrë e cila është treguar e suksesshme në prodhimtari”, thotë Kastrati.

Ky fermerë tregon se falë ndihmës nga programi i USAID-it “Mundësi të Reja për Bujqësinë”, ka arritur që sipërfaqet e mbjella me tranguj t’i rrisë edhe më shumë. E shitjen e trangujve, të cilët i kultivon në një sipërfaqe prej 50 ari, të tipit kornishon(tranguj me frute të vegjël, të cilët kryesisht përdoren për konservim), thotë se nuk e ka problem, pasi kërkesat janë të mëdha nga qendrat tregtare dhe hotelet në vend. “Aktualisht kam të mbjellë 50 ari me tranguj nga të cilat jam i kënaqur si me çmim e po ashtu edhe me shitje. Tregun kryesisht e kemi në Pejë dhe Prishtinë, ku shitjen e tyre e bëjmë nëpër hotele, markete si dhe në treg”, tregon Izet Kastrati fermerë nga komuna e Pejës.

Ai tregon se nga USAID-i janë ndihmuar me farë, sistem të ujitjes pikë – pikë,si dhe me foli të zezë për tranguj.

Fermeri Izet Kastrati, thotë se ka plane për rritjen e sipërfaqeve të kultivuara si me tranguj ashtu edhe me kultura të tjera që kultivon si sallatë, speca dhe domate, por që për këtë i duhet edhe përkrahje qoftë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural apo organizatat e tjera.

Ndërsa, Ismet Babaj nga programi i USAID-it “Mundësitë e Reja për Bujqësinë” ka treguar se i kanë mbështetur kultivuesit e trangujve që nga viti 2011. E qëllimi i përkrahjes, sipas tij ka qenë promovimi i kultivarëve dhe teknologjive të reja të kultivimit, me theks të veçantë kultivimi me sistem mbështetës duke përdorur rrjetat plastike. Babaj tregon se përkrahja e kultivuesve të trangujve në vitin 2013 ishte përmes qendrave grumbulluese me rrjeta dhe farë për sipërfaqe prej 0.5 hektarë për kultivues me pjesëmarrje 50 – 50 për qind. “Qëllimi i kësaj përkrahje ishte që lidhjen ne mes prodhuesve, qendrave grumbulluese dhe përpunuesve ta bëjmë sa më të qëndrueshme. Në kuadër të këtij aktiviteti 10 hektarë sipërfaqe janë mbjellë me kornishon nga 20 kultivues”, ka thënë eksperti i bujqësisë nga USAID-i.

Ismet Babaj ka treguar se pjesë e veçantë e këtij aktiviteti kanë qenë minoritetet dhe gjinia femërore, ku 4 hektarë shtesë të trangujve janë shpërndarë te 10 kultivues nga minoritetet dhe 10 nga gjinia femërore me nga 0.2 hektar janë përkrahur me pako të kultivimit (fara, substrat, kaseta ,foli e zezë dhe rrjeta). “I gjithë prodhimi në njëfarë forme ishte kontraktuar nga qendrat grumbulluese ku këto qendra paraprakisht kishin bërë kontratat rreth sasisë së prodhimit me përpunues. Ka pasur raste individuale që prodhuesi ka pasur kanalet e marketingut dhe shitjen në treg të gjelbër por pjesa më e madhe e prodhimit të kornishonëve është finalizuar te përpunuesit në formë të kontraktuar përmes qendrave grumbulluese në Mamushë nga ‘Euro Taq’ dhe qendra grumbulluese në Neperbisht të Suharekës ‘Shala Produkt’”, ka treguar ai.

Babaj, ndërkaq thotë se impakti i aktiviteteve të NOA-s në këtë kulturë është i madh si në rritjen e rendimentit, cilësisë, diversifikimit të kultivarëve të trangujve si dhe kalibrimi i trangullit në tre klasa, kërkesë e përpunueseve, i cili aktivitet finalizohet në qendra grumbulluese. Deri sa sipas tij, synimi i industrisë së përpunimit dhe objektivat e projektit qëndrojnë në eksportin e produktit final me vlerë të shtuar e jo si lëndë e parë.

“Pjesa më e madhe e kultivuesve të kornishonëve është e orientuar aty ku qendrat grumbulluese dhe përpunuesit operojnë, në rrafshin e Dukagjinit ku Mamusha dhe Neperbishti/Suhareka janë dominues kurse rrafshi i Kosovës dhe Anamorava janë në fazën e promovimit dhe shtimit të sipërfaqeve të mbjella me kornishon”, thotë Ismet Babaj nga programi “Mundësitë e Reja për Bujqësinë”.

Në anën tjetër, Ministria e Bujqësisë, sivjet është duke e përkrahur kultivimin e perimeve në serra dhe fushë të hapur, ku fondi i përgjithshëm është 1.4 milion euro. Për ngritjen e serrave të reja me perime, shpenzimet e pranueshme për 1 ari të serrës janë 2 mijë euro, por sipërfaqja nuk duhet të jetë më pak se 5 ari. E sipërfaqja maksimale e pranueshme për serrat e reja është 2 mijë metra katrorë, kurse shpenzimet maksimale të pranueshme arrijnë deri në 40 mijë euro.

Ndërsa, investimet e pranueshme për infrastrukturën e perimeve në fushë të hapur për 3 hektarë tranguj për përpunim 10500 euro. Intensiteti i përkrahjes nga fondet publike është 65 për qind e shpenzimeve të pranueshme dhe në rastet kur shpenzimet janë më të mëdha, atëherë fermeri ato duhet t’i mbulojë nga burimet e veta. /FermaIme/