Ngjarjet kryesore në Shqipëri për vitin 2023

Viti 2023 ishte mjaft dinamik sa i përket zhvillimeve në Shqipëri. Këto zhvillime ishin të një sërë natyrash duke filluar që nga ato politike, ku më të spikaturat ishin Samiti i Procesit të Berlinit dhe ai i Diasporës që u mbajtën në Tiranë, një seri aktesh të dhunshme në Kuvend, zgjedhjet vendore të 14 majit, autorizimin nga Kuvendi për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe Sali Berishës etj.

Ngjarje kishte dhe në fushën e kronikës me arrestimin e kandidatit për Bashkinë e Himarës Fredi Beleri për korrupsion në zgjedhje, kontrollet e policisë në Manzë, në qendrën e Muxhahedinëve, Censi etj.

Viti 2023 shënoi edhe një moment kulmor sa i përket pjesëmarrjes së skuadrës sonë kombëtare të futbollit në kampionatin evropian. Kombëtarja zuri vendin  parë në grup dhe është kualifikuar tashmë për në kampionatin evropian që mbahet në Gjermani në qershor 2024.

Ngjarjet kryesore të vitit 2023 në Shqipëri të përmbledhura kalendarisht:

9 janar – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi trajnerin e ri të Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, brazilianin Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur për publikun si Sylvinho, i cili zëvendësoi trajnerin Edoardo Reja.

11 shkurt – Në Shqipëri u mbajt një protestë antiqeveritare “për mbrojtjen e votës së lirë”, me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike dhe me mbështetjen e partive të tjera opozitare, ndërkohë gjatë protestës u shënuan edhe incidente, ku protestuesit kanë hedhur tymuese dhe molotov në drejtim të policisë dhe selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë. Në shkurt dhe mars u organizuan edhe disa protesta të tjera antiqeveritare.

13 shkurt – Në Shqipëri u shpall ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të tërmeteve shkatërrimtare dhe në shenjë solidariteti me Turqinë, ndërkohë flamuri shqiptar u ul në gjysmështizë nëpër institucionet e vendit.

3 prill – Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi mospranimin e ankesës të paraqitur nga themeluesi i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kundërshtonte vendimin që lejon ekstradimin e tij në shtetin turk, ndërkohë më 20 prill Özer u ekstradua nga Shqipëria në Turqi.

12 maj – Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Arrestimi i Belerit i cili njihet si pjesëtar i minoritetit grek dhe i cili rezultoi fitues në zgjedhjet e 14 majit, shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi.

14 maj – Në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore, ku qytetarët me të drejtë vote votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri zhvillohen për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin.

20 qershor – Policia e Shqipërisë organizoi kontrolle në zyrat dhe ambientet e tjera në kampin anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), në Manëz të Qarkut të Durrësit, ndërkohë kontrollet u shoqëruan edhe me incidente dhe përplasje.

14 korrik – Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë mbi lejimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili po hetohet për disa vepra penale në lidhje me kontratat e koncensionit mbi ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve.

7 gusht – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, ku fituese rezultoi partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë. Partia Socialiste fitoi 53 bashki, koalicioni i partive opozitare “Bashkë Fitojmë” fitoi në 7 bashki dhe një bashki Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen.

4-5 shtator – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe u takua edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.

11 shtator – Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, të cilat u propozuan nga kryeministri Edi Rama.

18 shtator – Në Shqipëri filloi zyrtarisht “Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023”, që u realizua nën organizimin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), ndërkohë ky proces përfundoi më 15 nëntor. Censi 2023 është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, ku i pari është zhvilluar në vitin 1923 dhe i fundit në vitin 2011.

19 tetor – Filluan tensionet dhe incidentet në Kuvendin e Shqipërisë, ku vazhduan në disa seanca gjatë muajit tetor, nëntor dhe dhjetor. Në seancat e bllokuara deputetët opozitarë nga Partia Demokratike dhe jashtë grupeve parlamentare, kanë hedhur tymuese në sallë, bllokuar foltoren me karrige dhe janë përplasur me punonjës të Gardës së Shqipërisë, pasi sipas tyre nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.

6 tetor – U mbajt takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet e Ballkanit, Bashkimi Evropian (BE) dhe organizatat e ndryshme.

12 tetor – Kuvendi i Shqipërisë miratoi në një seancë të posaçme parlamentare rezolutën që shpreh përkrahjen për sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

16 tetor – Në Tiranë u mbajt Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

17 tetor – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë u takua me zyrtarë të lartë të vendit.

22 tetor – Në Shqipëri u organizua edicioni i shtatë i Maratonës së Tiranës, ku morën pjesë mijëra vrapues nga vende të ndryshme.

1-9 nëntor – U mbajt stërvitja e përbashkët e forcave speciale “Strong Balkan 23”, me pjesëmarrjen e ushtarakëve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia dhe Rumania.

17 nëntor – Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll siguroi për herë të dytë në histori pjesëmarrjen në finalet e Kampionatit Evropian 2024, me ndeshjen ndaj Moldavisë. Në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian EURO 2024, Kombëtarja e Shqipërisë ishte në Grupin E, së bashku me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.

23 nëntor – Në Tiranë u mbajt Samiti i tretë i Diasporës Shqiptare, nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

13 dhjetor – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të kalojë në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës mbi “Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, duke pezulluar procedurat e ratifikimit në Kuvend.

15 dhjetor – U shënua 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqinë, pasi më 15 dhjetor të vitit 1923 mes dy vendeve u nënshkrua Traktati i Miqësisë, ndërsa dy vendet publikuan një deklaratë të përbashkët ku theksohej se “Marrëdhëniet Shqipëri-Türkiye e marrin fuqinë e tyre nga historia e përbashkët dhe lidhjet e forta sociale dhe kulturore.”

21 dhjetor – Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion. /rtsh.al/

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>