Të shtëna me armë në Rahovec, plagoset rëndë një 16-vjeçar – i dyshuari arratiset

Rahovec: 16-vjeçari plagoset me armë zjarri, i dyshuari ende në kërkim
Një incident i rëndë është regjistruar gjatë natës në Rahovec, ku një 16-vjeçar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Personi që dyshohet se ka kryer sulmin është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është identifikuar.
Ngjarja ka ndodhur më 29 tetor, rreth orës 00:35, në rrugën “Vëllezërit Shabandula” në Rahovec.
Sipas informacioneve të raportuara, i mituri me inicialet N.Z. ka marrë një plagë në pjesën e djathtë të kraharorit, pasi një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 00:46, pasi personeli i Urgjencës në Rahovec ka raportuar se një i mitur i plagosur ishte paraqitur për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Pas trajtimit fillestar, 16-vjeçari është transferuar në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ku është duke marrë trajtim në Repartin e Ortopedisë. Sipas mjekut kujdestar, gjendja e tij është stabile dhe nuk ndodhet në rrezik për jetë.
Në vendin ku ka ndodhur incidenti kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme. Megjithatë, gjatë kontrollit nuk janë gjetur prova materiale të dyshimta.
Deri më tani nuk dihet identiteti i personit të dyshuar dhe as motivi që çoi deri te ky incident.
Policia po vazhdon hetimet, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.



