FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë Unimog: dhjetëra të tjerë priten gjatë 2027
Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 12 kamionë ushtarakë Unimog 5T, 4×4, të tipit Mercedes Benz, ndërsa dhjetëra automjete të tjera pritet të arrijnë gjatë vitit 2027.
Këtë e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi për pajisjen e FSK-së me automjete të reja për transport dhe mbështetje logjistike.
Flota arrin në 35 kamionë
Sipas Kurtit, 12 kamionët e rinj Unimog i janë shtuar flotës prej 15 kamionësh Rheinmetall, ndërsa ditë më parë kanë arritur edhe tetë kamionë të tjerë KX 8×8, të blerë nga kompania Rheinmetall. Me këto prurje, numri i kamionëve të këtyre dy kategorive arrin në 35 automjete.
“Dhjetëra kamionë të tjerë Unimog dhe Rheinmetall janë blerë dhe do të vijnë në vitin 2027”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shpjeguar se kamionët Unimog 5T janë projektuar për të mundësuar lëvizjen në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore, ndërsa kamionët Rheinmetall me konfigurim 8×8 rrisin kapacitetet transportuese të FSK-së dhe forcojnë mbështetjen logjistike.
“Modernizimi nuk përfshin vetëm armatimin”
Kryeministri theksoi se modernizimi i një force ushtarake nuk përfshin vetëm armatimin dhe pajisjet luftarake, por edhe kapacitetet për lëvizje, furnizim dhe operim efikas.
“Këto investime janë pjesë e angazhimit tonë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Kurti përmendi edhe zhvillimet e fundit në kuadër të zgjerimit të personelit të FSK-së. Ai tha se të premten e kaluar u betuan 515 rekrutë të rinj, ndërsa në fillim të kësaj jave nisën trajnimin edhe 209 rekrutë të tjerë.
Maqedonci: Gjermania po e mbështet edhe përmes donacioneve
Për këtë çështje ka shkruar edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai tha se sot, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, dhe Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks, morën në dorëzim 12 kamionë ushtarakë Unimog – Mercedes Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Përveç blerjeve, Gjermania po e mbështet FSK-në edhe përmes donacioneve. Në vitin 2024 pranuam pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania. Sipas planifikimit, gjatë vitit 2027 presim të pranojmë edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës Unimog – Mercedes Benz si donacion nga Gjermania. E vlerësojmë këtë mbështetje konkrete dhe partneritetin e vazhdueshëm mes vendeve tona”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes tha se do të vazhdojnë të investojnë në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore, për një forcë profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët, në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. /KosovaNews/



