Konjufca takohet me ministrin estonez: Kërcënimet nga Serbia dhe ndikimi rus rrezikojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor
Në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar homologun e tij estonez, Margus Tsahkna, me të cilin ka diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një postimi, Konjufca ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për Kosovën, duke theksuar se bisedat me ministrin Tsahkna janë gjithmonë të hapura dhe të drejtpërdrejta.
Ai ka theksuar se në qendër të diskutimeve ishte edhe ndikimi i kërcënimeve që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi rus në rajon.
Sipas Konjufcës, këto zhvillime dëshmojnë se paqja nuk mund të merret si e mirëqenë, por kërkon angazhim të vazhdueshëm.
“Integrimi evropian i Kosovës është pjesë e forcimit të kësaj paqeje dhe të sigurisë së vetë Evropës”, ka shkruar Konjufca.
Ai gjithashtu ka vlerësuar përvojën e Estonisë në fushën e qeverisjes digjitale dhe sigurisë kibernetike, duke e cilësuar atë si shembull të veçantë të shndërrimit të përvojës historike në vetëdije për lirinë dhe aftësi për ta mbrojtur atë.
Në fund, Konjufca e ka falënderuar ministrin estonez për miqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.



