NACIONALE

Deputeti i VV-së Filiz Mustafa akuzon Adem Hoxhën për mobilizim në zgjedhjet e Serbisë në mbështetje të Vuçiqit në Dragash

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Filiz Mustafa, i cili vjen nga rajoni i Dragashit, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me një tubim që, sipas tij, është organizuar në komunën e Sharrit në mbështetje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prag të zgjedhjeve në Serbi.

Mustafa ka drejtuar kritika ndaj deputetit Adem Hoxha, duke e akuzuar se po mobilizon qytetarë të komunitetit goran për zgjedhjet në Serbi. Ai ka pretenduar gjithashtu se një pjesë e qytetarëve të këtij komuniteti po përballen me presion dhe shantazh, akuza të cilat i ka paraqitur në reagimin e tij në Facebook.

Në reagimin e tij, Mustafa ka shprehur shqetësim edhe për pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisjes lokale të udhëhequr nga kryetari i komunës së Sharrit, Bexhet Xheladini, në këtë tubim.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes, në tubim kanë marrë pjesë nënkryetari i komunës, Fejsal Haliloviç, tre drejtorë komunalë dhe një ish-drejtor. Për këtë arsye, ai i ka kërkuar Xheladinit që t’i shkarkojë zyrtarët komunalë që, sipas tij, ishin pjesë e tubimit.

“Minimumi se çfarë do të duhej të bënte kryetari i komunës është shkarkimi i tyre”, ka shkruar Mustafa, duke pretenduar se bashkëqeverisja lokale është rezultat i një marrëveshjeje politike me Adem Hoxhën.

Mustafa përmend mbylljen e strukturave paralele

Në reagimin e tij, deputeti ka përmendur edhe disa veprime që, sipas tij, janë ndërmarrë nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti.

Ai ka renditur mbylljen e komunës paralele në Vraniç të Sharrit, mbylljen e Komercialna Bankës, të cilën e ka cilësuar si bankë ilegale të Serbisë, si dhe ndërprerjen e mbajtjes së zgjedhjeve dhe referendumeve të Serbisë në Kosovë.

Në anën tjetër, Mustafa ka kritikuar qeverisjen lokale të Bexhet Xheladinit, duke thënë se ajo vazhdon bashkëpunimin me Adem Hoxhën dhe se disa zyrtarë që, sipas tij, kanë qenë pjesë e strukturave paralele, vazhdojnë të mbajnë pozita drejtuese në komunë.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për përbërjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), duke përmendur emrat e Edin Kurtit dhe Muamer Sulejmanit në kontekstin e pretendimeve të tij për lidhje me strukturat paralele serbe dhe mobilizimin për zgjedhjet në Serbi.

“Sharri nuk është arenë për tubime që i shërbejnë Vuçiqit”

Duke kërkuar reagim nga kryetari i komunës, Mustafa ka theksuar se institucionet lokale duhet të veprojnë nëse zyrtarët e tyre marrin pjesë në aktivitete të tilla.

“Për sigurinë e Republikës, z. Xheladini, vepro dhe shkarkoji të gjithë pjesëmarrësit e tubimit të së shtunës që i ke ende në qeverisje”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Mustafa ka ritheksuar kundërshtimin e tij ndaj asaj që e cilëson si ndikim të Beogradit në rajonin e Gorës.

“Sharri nuk është pronë e askujt. Goranët nuk janë vegla të politikave të huaja. Dhe Kosova nuk është tokë për ëndrrat hegjemoniste të askujt”, ka përfunduar deputeti i Vetëvendosjes

Related Articles

Back to top button
error: JO !!