Kurti takon senatorët amerikanë, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe shndërrimin e Bondsteel-it në bazë të përhershme ushtarake
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë senatoren amerikane Jeanne Shaheen dhe senatorin Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, sigurinë, reformat në vend dhe zhvillimin ekonomik.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se takimi vjen pas atij të zhvilluar në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në fillim të këtij viti, ndërsa për senatorin Durbin kjo ishte vizita e parë në Kosovë.
Kurti ka thënë se të dy senatorët e kanë uruar për mandatin e ri dhe zgjedhjen e presidentes, duke vlerësuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kosovën dhe kontributin në forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nga ta kërkova përkrahje për anëtarësimin në NATO, si dhe për shndërrimin e Bondsteel-it në bazë të përhershme ushtarake”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por ka shprehur shqetësim për veprimet dhe deklaratat kërcënuese të Serbisë, duke përmendur edhe raportet ndërmjet ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për reformat në arsim, procesin e vettingut në drejtësi dhe krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në fokus të bisedimeve ka qenë edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës. Kurti ka bërë të ditur se gjatë pesë vjetëve të fundit eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është pesëfishuar dhe se ky sektor aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
“Ekonomia jonë vazhdon të rritet me mbi 4%, ndërsa ky mandat qeverisës do të jetë i hekurudhave, digave, industrisë së mbrojtjes, e stadiumeve sportive drejt Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Kurti

