Haxhiu: Kuvendi do të kërkojë llogari për zbatimin e rekomandimeve të auditimit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka takuar Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, të cilën e ka përgëzuar për punën e saj dhe rizgjedhjen nga Kuvendi për një mandat të ri pesëvjeçar.
Përmes Facebook-ut, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në funksion të mbikëqyrjes parlamentare dhe rritjes së llogaridhënies së institucioneve publike.
Ajo ka bërë të ditur se Kuvendi, në legjislaturën e njëmbëdhjetë, do t’i shqyrtojë me seriozitet raportet e auditimit dhe do t’u kërkojë institucioneve përgjegjëse llogari për zbatimin e rekomandimeve të dhëna.
Haxhiu ka nënvizuar se menaxhimi i parasë publike duhet të jetë transparent dhe në shërbim të qytetarëve, të cilët kanë të drejtë të informohen se si shpenzohen të hyrat e mbledhura nga taksat.
Sipas saj, llogaridhënia nuk është çështje vullneti, por detyrim institucional dhe një parim themelor i sundimit të ligjit.



