Presidenca serbe e fsheh listën e të falurve nga Vuçiqi
Siç raporton ky portal hulumtues serb, Presidenca e Serbisë nuk i ka dorëzuar redaksisë KRIK listën e personave që presidenti i dorëhequr, Aleksandar Vuçiq, i fali një ditë para se të paraqiste dorëheqjen. Gjithënjë sipas këtij portali, kërkesa u bë në bazë të Ligjit për qasje të lirë në informacione me interes publik, por përgjigja nuk erdhi as pas kalimit të afatit ligjor prej pesëmbëdhjetë ditësh. Të njëjtat informacione u kërkuan edhe nga Ministria e Drejtësisë, e cila gjithashtu nuk u përgjigj.
Më shumë se dy javë pasi Vuçiq njoftoi se kishte amnistuar dhe falur 49 persona, ky vendim nuk është publikuar zyrtarisht askund.
Vetë Vuçiqi e bëri të ditur numrin e faljeve në konferencën për shtyp ku njoftoi dorëheqjen. Ai përmendi vetëm emrat e aktivistëve që gjykohen në Novi Sad për gjoja rrënim të rendit kushtetues. “Pavarësisht mendimit të një pjese të komisionit, pavarësisht mendimit të shërbimeve të ndryshme, shërbimeve të sigurisë, unë mora vendimin të falë 12 persona nga ‘grupi i Novi Sadit’, në krye me Millo Pajiqin”, pat deklaruar Vuçiq aso kohe.
Ai shtoi se mes 49 të falurve ndodhen edhe 11 persona që “morën pjesë në incidente kundër bllokuesve (kështu u referohet opinioni serb protestuesëve anti-Vuçiq)“.
Ministria serbe e Drejtësisë kishte deklaruar më herët për agjencinë “Beta” se bëhet fjalë për një vendim të presidentit të mëparshëm dhe se ministria nuk do të marrë pjesë në zbatimin e tij.
Sipas ligjit, presidenti nuk është i detyruar ta publikojë vendimin për falje, por praktika e mëparshme ishte që këto vendime të botoheshin. Në faqen e Presidencës së Serbisë vazhdon të qëndrojë vendimi i Vuçiqit nga janari i vitit të kaluar, kur ai fali 13 persona, mes të cilëve ishte dekania e Fakultetit Filozofik në Nish, Natalija Jovanoviq, profesori universitar dhe aktivisti i PSG-së, Radivoje Jovoviq, si dhe disa studentë e drejtorë shkollash.
Po ashtu, ishte bërë publik edhe vendimi për faljen e katër aktivistëve të SNS-së që i thyen nofullën një studenteje në Novi Sad, si dhe falja e vajzës që gjatë bllokadës (protestës) studentore në Beograd qëllimshëm goditi me veturë pjesëmarrësit e protestës.
Novi Sadi, qytet me ‘nam’ në politikën serbe
Kur jemi tek qyteti i Novi Sadit, në Serbi, ku e ka zanafillen edhe grupi kriminal parapolitik i njohur si “Klani i Novi Sadit”, më herët KosovaNews ka raportuar disa herë, ndër to edhe shkrimi: “Çfarë po ndodh në Serbi? Filloi shthurja e “Klanit të Novi Sadit”, japin dorëheqje kryeministri i Serbisë dhe kryetari i Novi Sadit“.
Zanafilla e lulëzimit të “demokracisë autentike serbe” në këtë qytet, shënohet për herë të parë mediatikisht në shtator të vitit 2012, kur ndodhi një rast makabër. Rasti i njohur si “rikompozimit të pushtetit”, duke i mbajtur asambleistët në karantinë deri në momentin e votimit.
Asokohe, partia e autokratit Vuçiq, tok me partnerët e saj, grabiti pushtetin lokal nga kryetari i atëhershëm i komunës së Novi Sadit në Serbi. Rreth 40 asambleistë të shumicës së atëhershme u mbajtën për ditë me radhë të izoluar në një hotel në zonën turistike të quajtur Frushka Gora. Opozita dhe kryetarja e atëhershme e asamblesë komunale alarmuan publikisht se asambleistët ishin rrëmbyer dhe mbaheshin të izoluar, me qëllim që të sigurohej ndryshimi i pushtetit.
Operativë të këtij “operacion elektoral” ishin “Skuadra nga Kosova” (serbë nga Kosova) e përbërë nga vëllezërit Zvonko e Zharko Vesellinoviq, Zoran Millivojeviq-Zela e “figura” si këta, të cilët aso kohe gjenin rehati, bënin biznes e zbatonin kësi lloj “vullneti demokratik” jo vetëm në Serbi, por edhe në Kosovë. Nga ky “votim demokratik” lindi ylli i ri i politikës serbe, kryebashkiaku i Novi Sadit i asaj kohe – Milosh Vuçeviq.
Termin “Klani i Novi Sadit” e kishte përmendur edhe Kryeministri Kurti në një postim, të cilin KosovaNews e kishte transmetuar në artikullin “Kryeministri Kurti: Vuçiqi si ‘Capo dei capi’“. /KosovaNews/



