NACIONALE

Pas shumë rusëve, edhe djali i kryetarit të Lubjanës bëhet me shtetësi serbe, sipas klauzolës së “interesit kombëtar”

Jure Jankoviq, djali i kryetarit të kryeqytetit slloven Lubjanës, Zoran Jankoviq, ka marrë shtetësinë serbe përmes një vendimi të posaçëm qeveritar, në të cilin thuhet se kjo është në “interes kombëtar” të Serbisë, zbulojnë në një hulumtim (artikulli në serbisht) të tyrin portalet “KRIK” nga Serbia dhe “Oshtro” nga Sllovenia.
Vendbanimi zyrtar i Jankoviqit në Serbi është regjistruar në adresën që i përket Nikolla Petroviqit – ish-drejtorit të ndërmarrjes shtetërore “Elektromrezha Sërbije” AD (sikurse “KOSTT”-i tek ne) dhe kumbarit të presidentit autokrat serb Aleksandar Vuçiq. Vendimi u nënshkrua në ditën e fundit të tetorit 2024 nga kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Qeveria serbe nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të “KRIK” dhe as nuk ka sqaruar se me nismën e kujt është dhënë kjo shtetësi.

“Screenshot” i një artikulli të botuar në Slloveni, që tregon për lidhjet në mes të Vuçiqit e Petroviqit të Serbisë dhe kryetarit të Lubjanës, kryeqytetit të Sllovenisë.

Babai i Jure Jankoviqit, Zoran Jankoviq, ka lindur në Serbi dhe ka jetuar atje deri në moshën 12-vjeçare, kur ka kaluar me banim në Slloveni, në atë kohë të dyjat pjesë e federatës së shpërbërë jugusllave.

Para se të hynte në politikë, Zoran Jankoviq ka drejtuar disa kompani sllovene – përfshirë zinxhirin e njohur të shitjes me pakicë “Mercator”, ku ka shërbyer si Kryetar i Bordit Drejtues. Në vitin 2006, ai u zgjodh kryetar i kryeqytetit slloven, Lubjanës – një post që e mban edhe sot – pasi siguroi një fitore të thellë në zgjedhjet e fundit, duke marrë 62% të votave.

Jankoviq ka folur hapur për marrëdhëniet e tij të mira me figura të shumta të biznesit vendas; megjithatë, vitet e fundit, ai është afruar veçanërisht me presidentin Aleksandar Vuçiq, të cilin e quan mik.

Ai e ka lavdëruar vazhdimisht zhvillimin e projektit “Beogradi mbi Ujë” (Belgrade Waterfront) dhe, vitin e kaluar, gjatë protestave të mëdha studentore, shprehu publikisht mbështetjen e tij për Vuçiqin, duke e inkurajuar atë t’i bëjë ballë presionit.

“Lidershipi, vendosmëria dhe vizioni juaj janë çelësi i përparimit që Serbia ka arritur vitet e fundit, dhe jam i bindur se kjo rrugë duhet të vazhdojë“, shkroi Jankoviq në një letër mbështetëse për Vuçiqin në janar të vitit të kaluar.

Afërsia mes Vuçiqit dhe Jankoviqit, siç shkruaj “KRIK”, dëshmohet më tej nga fakti se, në vitin 2024, presidenti serb e ftoi atë të ndihmonte në organizimin e projektit të rëndësishëm për Vuçiqin. “Tema ishte ‘Expo 2027, I kërkova ndihmë dhe mbështetje Zoranit dhe jam mirënjohës që ai e pranoi me krahëhapur“, shkroi Vuçiçi në profilin e tij në Instagram, nga një takim me kryetarin e Lubjanës. Jankoviqi deklaroi se do të shërbente si këshilltar i posaçëm për “Expo 2027”, një rol që do ta kryente vullnetarisht, gjatë kohës së tij të lirë.

Kur Vuçiqi dhe Jankoviqi u takuan për darkë në Beograd, në prill të vitit 2025, atyre iu bashkua edhe kumbari i Vuçiçit, Nikolla Petroviqi, i cili gjithashtu gëzon një marrëdhënie të ngushtë me Jankoviqin. Për shkak të këtyre lidhjeve, një nga sipërmarrjet e biznesit të Petroviqit në Slloveni tërhoqi vëmendjen e publikut. Në vitin 2024, përmes kompanisë së tij “NG Projekt”, Petroviqi bleu nga Komuna e Lubjanës pothuajse një hektar tokë ndërtimi në lagjen Tërnovo – një zonë e njohur si “Siberia e Lubjanës”. Kompania ishte themeluar vetëm dy javë para se Komuna e Lubjanës të shpallte ankandin publik për këto parcella, ku “NG Projekt” u paraqit si ofertues i vetëm. Toka u ble për pak më pak se 3,3 milionë euro – një çmim pothuajse një milion euro më i ulët se ai që kryeqyteti slloven kishte kërkuar gjatë përpjekjeve të mëparshme, të pasuksesshme, për ta shitur këtë pronë.

Nikolla Petroviqi është përmendur edhe në hulumtim tonë të shkurtit të këtij viti: “Në vendlindjen e Veselinoviqit, gjurmëve të krimit ekonomik që financoi sulmin terrorist në Banjskë“.

Në një hulumtim të më hershëm të KosovaNews, shkruhet për lidhjet e Nikolla Petroviqit, kumbarës së presidentit serb Vuçiq me klanet kriminale serbe. Ky hulumtim e citon edhe një hulumtim të REL që flet për origjinën e kamionëve që u përdorën për barikadat në Banjskë.

Edhe shumë rusë të sanksionuar u bënë me shtetësi serbe

Mbi të njejtën bazë ligjore, siç raportuan “KRIK”-u serb dhe media ruse “Important Stories” (IStories) në prill të vitit 2025, shtetësi serbe fituan me anë të dekretit qeveritar edhe shumë shtetas rusë. Gazetarët e këtyre medieve kanë shqyrtuar të gjitha vendimet për dhënien e shtetësisë nga fillimi i vitit 2022 deri në prill të vitit 2025 dhe identifikuan 204 shtetas rusë që morën pasaporta jashtë procedurave standarde – pa kërkesën për të banuar në Serbi apo për të hequr dorë nga shtetësia që zotëronin deri në fitimim e asaj serbe.

Në këtë mënyrë, ata anashkaluan efektivisht kufizimet e udhëtimit të vendosura ndaj tyre nga BE-ja. Ndër emrat e përmendur në hetime janë:

Viktor Shendrik – ish-operativ i FSB-së, nga njësia “Vympel” (shërbimi sekret rus) dhe kreu i sigurisë për Hekurudhat Ruse, si dhe për oligarkët Arkady dhe Boris Rotenberg; sipas iStories (“Vazhnye Istorii”), ai është sponsor i grupit të tifozëve neo-nazistë “Espanyol”. Ai e mori pasaportën më 18 maj 2023. 

Dmitry Sergeyev – bashkëpunëtor i ngushtë dhe mik i Dmitry Patrushevit, djalit të ish-drejtorit të FSB-së, Nikollai Patrushev; ai shërben si Drejtor i Përgjithshëm i Kompanisë së Bashkuar të Drithërave (United Grain Company).

Yekaterina Blokhina – menaxhere në koncernin “Teknologjitë Radio-Elektronike” (KRET), anëtare e bordit në fabrikën “Kopir” dhe drejtore e firmës investuese “Tavrida” në Krimenë e pushtuar nga Ukraina (8 shkurt 2024). 

Ivan Sibirev – pronar i kompanisë “R-Stroy”, e cila i nënshtrohet sanksioneve të BE-së dhe operon në Mariupol dhe Severodonetsk (14 mars 2024). 

Zufar Garayev – Kryetar i Bordit të bankës “AK BARS” nga Tatarstani, e cila ndodhet nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së. 

Olga Reyman – bashkëshortja e ish-Ministrit rus të Komunikacioneve, Leonid Reyman (3 tetor 2024). 

Roman Karusev – punonjës në fabrikën radio-teknike “Shimko” në Kazan, e cila prodhon sisteme identifikimi “mik-ose-armik” për avionët ushtarakë rusë. 

Andrey Shamshurin – Zëvendëspresident i “Aquarius”, një prodhues kompjuterësh dhe pajisjesh enkriptimi për ushtrinë ruse dhe FSB-në.

Valeriy Kazikayev – nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2023 për shkak të lidhjeve të tij me oligarkun Alisher Usmanov (“Metalloinvest”, “Udokan Copper”). 

Sergey Kondratenko dhe Igor Kolyushev – i nënshtrohen sanksioneve ukrainase; Kolyushev shërben si drejtor teknik i institutit “Giprostrojmost – Shën Petersburg”. 

Nga rrethi i Ramzan Kadyrovit: Sumaid Khalidov, Abdulmutalim Abakarov (zëvendës i Umar Kremlevit në IBA) dhe tre fëmijët e tij, trajneri i boksit Alexey Galeyev, si dhe Ruslan Alisultanov, ish-Zëvendësministër i Bujqësisë i Çeçenisë. 

Sipas Radios Evropa e Lirë (REL), Komisioni Evropian paralajmëroi në një dokument jozyrtar (“non-paper”) se përfitimi i shpejtë i të drejtës për udhëtim pa viza nga qytetarët rusë, përmes marrjes së shtetësisë serbe, përbën një rrezik të mundshëm sigurie për BE-në. Qeveria e Serbisë nuk ka komentuar lidhur me hetimin, ndërsa asnjë nga individët e përmendur nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. 

Burimet: KRIK, Oštro, “Important Stories” (IStories), The Insider, Radio Evropa e Lirë, Vreme.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!