Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Stadiumi i futbollit në Rahovec do të shndërrohet në shesh

Pak metra e ndajnë palestrën “Mizahir Isma” me stadiumin e qytetit në Rahovec. Fusha e stadiumit të Rahovecit vërehet vetëm nga platoja e palestrës. Nga pjesa e poshtme pamjen e fushës e pengojnë muret e larta që e rrethojnë stadiumin, i cili për një periudhë të shkurtër pritet të jetë shesh.

Komuna e Rahovecit planifikon ta shndërrojë stadiumin në shëtitore. Puna për realizimin e projektit për t’u bërë sheshi tashmë ka nisur.

“Në një formë bëhet zhvendosja, pasi Komuna e Rahovecit do ta ketë stadiumin, KF Rahoveci do ta ketë stadiumin e vet”, thotë Afrim Dina, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Rahovecit.

Klubi i futbollit Rahoveci ka braktisur stadiumin për t’u stërvitur në Malishevë. Në stadiumin e Malishevës, KF Rahoveci ka organizuar edhe ndeshje të këtij edicioni.

“Është ana pozitive edhe e sheshit, sepse edhe qyteti ka nevojë për shesh, por edhe sporti ka nevojë për një stadium. Shpresojmë që punët në ndërtimin e kompleksit të përshpejtohen pasi klubi ka nevojë për zhvillim të aktivitetit”, thotë Alfred Cena, sekretar i klubit të futbollit Rahoveci.

Rahoveci zhvillon gara në Grupin A të Ligës së Parë. Është në vendin e shtatë me 17 pikë.

Drejtori Afrim Dina insiston se KF Rahoveci do ta ketë shpejt stadiumin e ri. Por thotë po ashtu se banorët e Rahovecit kanë nevojë për një shesh.

“Është diçka e mirë që tashmë edhe Komuna e Rahovecit do ta ketë një shesh ashtu siç i ka hije. Punimet veç kanë filluar atje dhe me pjesën ku planifikohet të bëhet sheshi përfshihet edhe pjesa e stadiumit në sheshin qendror. Sheshi është një projekt jashtëzakonisht i madh dhe do t’u shërbejë jashtëzakonisht shumë qytetarëve të Komunës sonë”, është shprehur Dina.

Ende pa lokacion për stadiumin e ri

Drejtori Dina nuk e di saktë se në cilin vit është ndërtuar stadiumi i qytetit. Ai thotë se pretendohet se është ndërtuar në vitin 1974. Histori më të gjatë ka klubi. Është 43 vjet më i vjetër se stadiumi.

Dina thotë se Rahoveci do ta ketë një stadium modern.

“Edhe tash po besojmë që do të jetë një stadium jashtëzakonisht i mirë në një kapacitet të mirë të shikuesve. Unë po besoj dhe kërkesa jonë është të jetë hapësira më e madhe, që të kemi 8000, 9000 apo 10 mijë shikues, në mënyrë që të zhvillohen gara kualifikues edhe të Ligës së Kampionëve dhe kështu me radhë”, ka theksuar Afrim Dina.

Ai thotë se për në fazën e parë të ndërtimit të stadiumit të ri, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka ndarë 100 mijë euro, ndërsa janë në pritje edhe të finalizimit të dokumentacionit për lokacionin e ri.

Stadiumi i ri pritet të kushtojë miliona euro. Se kur do të nisin punimet e po ashtu ku do të nisin punimet, nuk dihet.

“Jemi në bisedime me një kompani e cila ka shprehur gatishmëri të ndajnë si donacion parcelën për stadiumin e qytetit të Rahovecit. Hapësira do të jetë 3.5 hektarë”, ka thënë Dina.

Ai thotë se parcela është bujqësore. Dhe për t’u kryer punime duhet leje nga Qeveria.

“Në Kuvend e kemi marrë aprovimin për planin zhvillimor, por jemi duke pritur vendimin apo aprovimin e Qeverisë, apo ministrisë përkatëse që na kthen për planin zhvillimor për të vazhduar më pas me procedurat e tjera, pra të bëhet kalimi i pronës si pronë komunale. Ajo pjesë e parcelës është bujqësore dhe duhet të kalojë në pronë zhvillimore”, ka treguar Dina.

Te KF Rahoveci janë skeptikë se stadiumi i ri do të bëhet shpejt

Projekti për ndërtimin e stadiumit të ri ishte nisur në vitin 2019. Ishin bërë edhe dokumentacionet. Sipas Dinës ishte nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi mes Komunës së Rahovecit dhe MKRS-së. Në këtë Memorandum ishin përfshirë edhe ndërtimi i një palestre në Krushë të Madhe dhe një fushë në Ratkoc.

“Por ai memorandum nuk është funksionalizuar dhe në vitin 2022 është hequr edhe kodi buxhetor për ndërtimin e këtyre tri projekteve. Në vitin 2024 është kthyer kodi dhe është ndarë buxheti. Në vitin 2019 kanë qenë të zhvilluara të gjitha projektet dhe është planifikuar të jetë i kategorisë së dytë”, ka thënë Dina.

Klubi i Rahovecit krahas ekipit të parë ka edhe grupmoshat e reja. Në klub thonë se janë mbi 200 futbollistë aktivë. Klubi ka edhe ekipin e veteranëve që po ashtu merr pjesë në aktivitet.

Sekretari i klubit, Alfred Cena, dyshon se futbollistët do ta gëzojnë shpejtë stadiumin e ri. Si shembull merr përfundimin e punimeve në palestrën në Rahovec.

Puna për ndërtimin e palestrës kishte nisur 16 vjet para se objekti sportiv të hapej për rahovecasit.

Ende pa u mbushur gjashtë vjet të plota prej hapjes së palestrës, ajo ka nisur të dëmtohet. Kulmi i palestrës, që shtetit i kushtoi 3 milionë euro, është dëmtuar.

“Si qytetit për fat të keq kemi përvojë të hidhur me palestrën që ka nisur së ndërtuari dhe ka përfunduar pas dhjetë vjetësh. Kjo është ajo që shfaq skepticizmin dhe frikën. Shpresat dhe vullneti është të ndërtohet sa më shpejtë, por konfirmim zyrtar nuk kemi as për parcelën e as për ndërtimin e stadiumit edhe pse kemi dëgjuar fjalë se është ndarë buxheti, mirëpo procedurat janë në vazhdim. Por është skepticizmi për ndërtimin e stadiumit të ri”, ka thënë Cena.

Stadiumi pritet të jetë edhe për një periudhë i mbyllur për gjeneratat e reja dhe ekipin e parë të KF Rahovecit.

Në klub thonë se fusha nuk u bën ballë të reshurave të shiut gjatë muajve nëntor, dhjetor, janar, shkurt dhe mars.

“Komuna dhe FFK-ja kanë tentuar rregullimin e drenazhimit, por ka qenë e vështirë dhe jemi detyruar që ndeshjet t’i luajmë jashtë qytetit dhe kjo ka shkaktuar telashe si në aspektin financiar, ashtu edhe fizik të lojtarëve, trajnerëve dhe kryesisë së klubit”, ka thënë Cena.

Edhe pa këtë stadium me 100 telashe, rahovecasit pritet të mbesin së shpejti.

KF Rahoveci nuk është klubi i vetëm me telashe rreth infrastrukturës. Edhe shumë klube të Superligës nuk kanë kushte të mira për stërvitje dhe ndeshje të futbollit./KOHA/

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>