Nga protestat te oligarkia, Kurti me deklaratë të fortë për situatën në Shqipëri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë lidhur me situatën politike në Shqipëri, ku prej fundit të majit po zhvillohen protesta qytetare, të cilat fillimisht ishin paqësore, por së fundmi janë shoqëruar edhe me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Kurti ka thënë se zhvillimet në Shqipëri po përcillen me shqetësim, kujdes dhe përgjegjësi, duke theksuar rëndësinë që shqiptarët të ndërtojnë drejtësi dhe demokraci të qëndrueshme.
“Shqipërinë e duam gjithmonë. Ajo është pjesë e pandashme e jona. Zhvillimet po i përcjellim me shqetësim, me kujdes, me përgjegjësi”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se është jetike që shqiptarët t’i dëshmojnë vetes se janë të aftë të ndërtojnë drejtësi, demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe një qeverisje që nuk i nënshtrohet oligarkisë.
Në deklarimin e tij, Kurti është ndalur edhe te zërat që kanë tentuar ta lidhin Lëvizjen Vetëvendosje me protestat që po zhvillohen në Shqipëri.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Kurti.
Deklarimi i Kurtit vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me tensione politike dhe protesta qytetare, të cilat pas disa muajsh të zhvillimit paqësor kanë marrë së fundmi një dimension më të ashpër.
Ndërkohë, zhvillimet në Shqipëri po përcillen me vëmendje edhe në Kosovë, përfshirë raportet politike mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.



