NACIONALE

Prishtina 2030: KOLM Diskuton Masterplanin dhe Projektet Prioritare

Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (KOLM) mbajti sot takimin e radhës, ku u shqyrtua ecuria e përgatitjeve dhe u diskutuan drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe hapat përpara për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Në mbledhje mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili në fjalën hyrëse tha se synimi i përbashkët është organizimi i suksesshëm i “Prishtina 2030”, duke theksuar se për këtë duhet bashkëpunim i ngushtë dhe angazhim i përbashkët gjatë gjithë përgatitjeve.

“Për t’i çuar përpara përgatitjet, na duhet kuptim i përbashkët i drejtimit që ndjekim dhe i hapave që do të ndërmarrim. Në përcaktimin e investimeve, krahas kërkesave për organizimin e Lojërave, duhet të na udhëheqin prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Kjo i shërben edhe bashkëpunimit me ICMG-në dhe përmbushjes së angazhimeve që kemi marrë përsipër”, tha Kurti.

Në mbledhje u trajtuan edhe çështjet e ngritura në komunikimin e fundit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), në funksion të vazhdimit të punës dhe bashkëpunimit për organizimin e Lojërave.

Riafirmohet shtrirja sipas Librit të Kandidaturës

Në takim u riafirmua se Lojërat do ta ruajnë shtrirjen e paraparë në Librin e Kandidaturës. Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi dhe Skenderaj bashkë me komunat e tjera kanë qenë pjesë e propozimit të Kosovës që nga aplikimi.

Sipas Kurtit, pikërisht me këtë koncept Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në Librin e Kandidaturës është paraqitur edhe përfshirja e Shqipërisë, përkatësisht e Durrësit, për zhvillimin e infrastrukturës dhe trashëgiminë që do t’i mbetet vendit.

Investimet në realizim e sipër

Shtrirja e Lojërave në këto komuna dhe shfrytëzimi i objekteve sportive do të pasqyrohen në rishikimin e draftit të Masterplanit, i cili është ende në shqyrtim. Në këtë planifikim do të përfshihen investimet që tashmë janë në proces e sipër në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Kryeministri Kurti theksoi se objektet që ndërtohen dhe renovohen duhet t’u shërbejnë sportistëve dhe qytetarëve për shumë vite pas vitit 2030.

“Këto investime mbështesin zhvillimin e sportit nëpër komuna dhe mbeten në shërbim të sportistëve edhe pas përfundimit të Lojërave”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Projektet prioritare

Në takim u theksua vijimi i punës me ritëm të shtuar në projektet prioritare:

Qendra e Studentëve, e cila do të shërbejë si Fshat i Atletëve;

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë;

Qendra Akuatike;

Qendra Nacionale e Tenisit;

Po ashtu, u ritheksua rëndësia e Stadiumit Nacional si projekt shtetëror për zhvillimin e sportit në vend.

“Fadil Vokrri” me kapacitet të shtuar për ceremonitë

Në kuadër të përgatitjeve për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes, u shqyrtua edhe mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar, duke vlerësuar kërkesat organizative dhe afatet e nevojshme për përgatitjen e tij.

Qëndrim i përbashkët para ICMG-së

Në takim u dakordua që KOLM të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, për të prezantuar hapat e mëtejmë në përgatitjet për Prishtina 2030.

Kurti theksoi gjithashtu se Qeveria mbetet e angazhuar për përmbushjen e zotimeve të dhëna që në fazën e kandidaturës dhe se i njëjti përkushtim ndaj zotimeve të përbashkëta duhet ta udhëheqë punën e të gjithëve.

Anëtarët e Komitetit Organizativ shprehën njëzëri përkushtimin për organizimin e suksesshëm të Lojërave, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës. /KosovaNews/

Related Articles

Lajmë
Close
Back to top button
error: JO !!