Luan Aliu nga Përlepnica: Shtetin ia kthyem qytetarëve, fitorja është e popullit
Me një mesazh të fuqishëm nga Përlepnica, kandidati për deputet nga Lëvizja vetëvendosje, Luan Aliu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së mërgatës në proceset politike dhe mbështetjen për vizionin e qeverisjes që, sipas tij, e ka rikthyer shtetin te qytetarët.
Aliu u shpreh se kanë ardhur nga mërgata fizikisht në Kosovë për ta përjetuar nga afër fitoren e madhe, duke falënderuar dhe përshëndetur profesorin Xhavit Ahmeti, si dhe familjet e dëshmorëve.
“Përshëndes profesorin Xhavit Ahmeti dhe nga këtu e shfrytëzoj rastin ta përshëndes edhe vëllain e dëshmorit Zijah Shemsiu, bacën Fetah. I nderuar baca Shem, zëvendëskomandant, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe të gjithë familjarët e dëshmorëve, si dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Aliu.
Ai theksoi se kundërshtarëve politikë u pengon fakti që, sipas tij, kryeministri dhe koalicioni qeverisës ia kanë kthyer shtetin qytetarëve.
“Shteti u është kthyer qytetarëve dhe jo rastësisht motoja jonë në këto zgjedhje është: ‘Shtet për krejt dhe krejt për shtet’”, deklaroi Aliu.



