Von der Leyen sot në Tiranë, nesër në Prishtinë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Vizita në Shqipëri shënon ndalesën e parë të një agjende që zyrtarja e lartë evropiane do ta bëjë edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të vendit, ku në qendër të diskutimeve do të jetë procesi i integrimit evropian dhe hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Po atë ditë, axhenda e saj vijon në Podgoricë, ndërsa turi përmbyllet më 2 tetor në Shkup.
Në fokus të vizitës në katër vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jenë reformat dhe përparimi në rrugën evropiane, si dhe procesi i integrimit gradual të rajonit në strukturat dhe tregun e Bashkimit Evropian.
Një tjetër çështje me rëndësi do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, instrumenti përmes të cilit BE synon të nxisë zhvillimin ekonomik, reformat dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun evropian.
Ky është turi i gjashtë i Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitave, ajo pritet të ndalet edhe në projekte të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Evropian.
The post Von der Leyen sot në Tiranë, nesër në Prishtinë first appeared on KosovaNews.



