Kuvendi ratifikon tri marrëveshje me Suedinë dhe një traktat me Belgjikën
Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar tri marrëveshje me Mbretërinë e Suedisë dhe një traktat me Mbretërinë e Belgjikës, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik në çështjet penale.
“Duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor. Për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, duke qenë se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kërkohet edhe ratifikimi i saj nga Kuvendi. Prandaj, të nderuar deputetë, ju ftoj ta mbështesni këtë projekt”, tha ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Me këto marrëveshje, Kosova dhe Suedia rregullojnë bashkëpunimin në fushën e ekstradimit, transferimit të personave të dënuar dhe ndihmës së ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Ndërkaq, traktati me Belgjikën ka të bëjë me ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Poashtu, deputetët votuan edhe Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Sesionin Vjeshtor 2026.



