Kurti në Paris: Kërkojmë mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO
Kryeministri Albin Kurti u takua me presidentin e Senatit francez, Gerard Larcher, me fokus integrimin euroatlantik të Kosovës, projektet infrastrukturore dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kërkesa u bë gjatë një takimi në Paris me presidentin e Senatit francez, Gerard Larcher, ku Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Francës në proceset integruese të Kosovës dhe në forcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Infrastruktura, politika e jashtme dhe vendimi për statusin e kandidatit
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore.
“Biseduam për stabilitetin e plotë institucional e politik pas zgjedhjes së presidentes, planet e Qeverisë në këtë mandat të ri, të përqendruara në infrastrukturën hekurudhore e atë sportive, ndërtimin e digave dhe industrinë e mbrojtjes, por edhe mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka theksuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim do ta përshpejtonin zhvillimin e vendit.
“Republika e Kosovës është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, andaj statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, përveçse vendime të drejta, do të ishin shtysë për përparim të gjithmbarshëm”, ka thënë Kurti.
Rruga drejt NATO-s: kyçe për paqen e rajonit
Në vijim të agjendës së takimit u diskutua edhe për reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe përparimin demokratik të vendit.
Kurti ka shtuar se mbështetja e Francës është e rëndësishme edhe për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në aleancën e Atlantikut të Veriut, proces që, sipas tij, do të kontribuonte në paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës.
Takimi u mbyll me fjalë mirënjohjeje nga kryeministri për rolin historik të Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Parisi i ka dhënë zhvillimit të vendit. /KosovaNews/



