Kryeministri Kurti takon në Paris personalitete franceze që kanë kontribuuar për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes zyrtare të Forumit të Paqes në Paris, ka takuar personalitete franceze që në forma të ndryshme kanë kontribuuar për Kosovën. Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin ekonomik, investimet në siguri e mbrojtje, si dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, pjesë e takimit ishte Alain Richard, ish-ministër i Mbrojtjes dhe mbështetës i ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur krimet e luftës dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës nga aparati shtetëror i Serbisë më 1999.
Në takim mori pjesë edhe Gilles Pernet, oficer i ushtrisë dhe ish-administrator i lartë në Departamentin e Çështjeve Strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes, bashkautor i librit “Kosovo: récits sur la construction d’un État”, së bashku me Sébastien Gricourt.
Po ashtu, pjesë e takimit ishte Véronique Nahoum-Grappe, antropologe dhe studiuese, kërkimet e së cilës janë përqendruar te dhuna seksuale në luftëra dhe konflikte. Sipas Zyrës së Kryeministrit, ajo ka qenë e angazhuar për Kosovën që nga vitet ’90 dhe është autore e librit “Kosovo: un drame annoncé”. Ajo është vajza e filozofit dhe sociologut Edgar Morin.
Në takim morën pjesë edhe Frédérique Duversin, drejtore e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, përkrahëse e Kosovës që nga dekada e fundit e shekullit të kaluar dhe promovuese e kulturës, si dhe Florence Hartmann, gazetare dhe ish-korrespondente e Le Monde, njohëse e drejtësisë ndërkombëtare dhe e Ballkanit Perëndimor, ish-këshilltare dhe zëdhënëse e ish-kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
“Biseduam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm ekonomik, për investimet në siguri e në mbrojtje, për aktgjykimin e padrejtë të 16 shtatorit dhe angazhimin për korrigjimin e tij në apel”, ka thënë kryeministri Kurti.
Sipas njoftimit, Kurti ka folur edhe për planet në mandatin e ri qeverisës dhe për rolin e rëndësishëm të Francës në rrugën e Republikës së Kosovës drejt integrimit euroatlantik.



