Komisioni për Mjedis formon dy grupe punuese për projektligjet në fushën e bujqësisë
Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport ka vendosur, të formojë dy grupe punuese për shqyrtimin e dy projektligjeve të rëndësishme në fushën e bujqësisë: Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Vendimi u konfirmua nga kryesuesi i komisionit, Arsim Ademi, i cili shpjegoi se të dy projektligjet kanë përfunduar shqyrtimin në parim në nivel komisioni dhe janë miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Ademit, formimi i grupeve punuese në këtë fazë konsiderohet i domosdoshëm, pasi që dokumentet tani janë në pritje të trajtimit të detajuar, duke përfshirë edhe amendamentet e mundshme që priten të parashtrohen nga deputetët.
“Qysh e dini, të dy këto projektligje kanë kaluar, janë shqyrtuar në parim fillimisht në komisionin tonë, kanë kaluar në Kuvend në lexim të parë. Janë rikthyer, tash është mirë, meqenëse kemi kohë deri më datën 20-të për të filluar trajtimin e tyre, për shkak se është koha për amendamente që munden me ardhë nga jashtë”, tha Ademi.
Përbërja e grupeve punuese
Për Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë, në krye të grupit punues është caktuar deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi. Anëtarë të këtij grupi janë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku.
Ndërkohë, grupin punues për Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë do ta kryesojë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. Ky grup përbëhet nga gjashtë deputetë: Filiz Mustafa (LVV), Albana Bytyqi (Aleanca), Ukë Rugova (LDK), Arsim Ademi (LVV) dhe Ergul Mazreku (KDTP), përveç kryesueses Hoxha.
Të dy projektligjet pritet t’i nënshtrohen trajtimit të plotë nga grupet punuese, para se të kalojnë sërish në procedurat e Kuvendit për leximin e radhës. /KosovaNews/



