NACIONALE

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian

Brukseli i përgjigjet paralajmërimeve të Moskës, ndërsa analistët vlerësojnë se mesazhi rus synon kryesisht Serbinë dhe zgjedhjet e 25 tetorit

Bashkimi Evropian ka një përgjigje të qartë për paralajmërimet ruse drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor: e ardhmja e tyre është në bllokun evropian. Ky është mesazhi që Brukseli përcolli pas deklaratës së zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila në mesin e këtij muaji i “paralajmëroi” vendet e rajonit se integrimi evropian nuk është më thjesht çështje anëtarësimi, por nënkupton edhe pranimin e politikës së Brukselit ndaj Moskës.

E pyetur se si mund t’i mbrojë vendet aspirante nga pasojat e këtyre paralajmërimeve, Komisioni Evropian u përgjigj se “lufta kundër manipulimit të informacionit nga jashtë, dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera hibride është pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit”. Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, Komisioni theksoi se mbrojtja e procesit të integrimit dhe e integritetit të mediave nga dezinformimi është me rëndësi thelbësore, duke e cilësuar BE-në partnerin kryesor politik, ekonomik dhe strategjik të rajonit.

Podgorica: Vendimet i marrim vetë

Përplasja e fundit pasoi vendimin e Podgoricës për të hequr nga nëntori regjimin pa viza për shtetasit rusë, të cilin ambasada ruse në Mal të Zi e quajti “veprim armiqësor”. Ministria e Jashtme malazeze tha për Radio Evropën e Lirë qëndrimet e Moskës për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE janë të njohura, por “nuk i përcaktojnë vendimet tona strategjike, të cilat i marrim në mënyrë të pavarur”. Sipas autoriteteve në Podgoricë, masat në kuadër të politikës së jashtme të BE-së nuk janë veprime armiqësore ndaj Rusisë, por detyrime që burojnë nga rrugëtimi evropian. Anëtarësimin në BE e mbështesin mbi 80 për qind e qytetarëve, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë plotësisht të harmonizuara me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe janë anëtare të NATO-s. Edhe Kosova, e cila nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndjek qëndrimet e BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Bosnja e Hercegovina, për shkak të sistemit të ndërlikuar të vendimmarrjes, nuk i zbaton plotësisht vendimet e Brukselit, ndërsa Serbia mbetet i vetmi vend i rajonit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

Mesazhi dhe zgjedhjet në Serbi

Analistët me të cilët bisedoi REL-i vlerësojnë se deklarata e Zakharovës mund të lidhet me zgjedhjet parlamentare në Serbi, që mbahen më 25 tetor. Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit, e sheh si “një përpjekje për ta diskredituar paraprakisht Listën Studentore”, duke e paraqitur votimin si çështje të pranimit të menjëhershëm të sanksioneve të BE-së. Sipas tij, Moska po e shikon gjithnjë e më hapur Bashkimin Evropian si “kundërshtarin kryesor”.

Dimitrije Milliq, nga organizata “Rruga e Re e Tretë”, thekson se deklarata i drejtohet kryesisht Serbisë, si vendi i vetëm pa harmonizim të politikës së jashtme me BE-në. Sipas tij, Moska synon ta ndërlidhë integrimin evropian me mbështetjen e plotë të politikës së BE-së ndaj Rusisë dhe Ukrainës, duke zbehur dallimin mes orientimit proevropian dhe atij euroatlantik.

Të dy analistët vlerësojnë se ndikimi rus në rajon është sot më i dobët se më parë, ndonëse Moska vazhdon të ketë mundësi për të nxitur paqëndrueshmëri. Bassuener i bën thirrje BE-së ta forcojë praninë e saj, veçanërisht përmes misionit EUFOR në Bosnje e Hercegovinë.

Pas vitit 2022: harta e ndikimit ka ndryshuar

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, harta politike e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor ka ndryshuar ndjeshëm. Në Bosnje e Hercegovinë, ndikimi rus lidhet kryesisht me mbështetjen për autoritetet e Republikës Sërpska dhe bashkëpunimin me Millorad Dodikun, partia e të cilit bllokon zbatimin e sanksioneve dhe vizave për shtetasit rusë. Serbia mbetet partnerja më e afërt politike e Moskës në rajon dhe vazhdon të jetë në masë të madhe e varur nga gazi rus, ndërsa po zhvillohen përpjekje për zgjidhjen e çështjes së pronësisë së NIS-it mes Gazprom Neft dhe MOL. Varësia energjetike nga Rusia është sot më e theksuar pikërisht në Serbi, ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë intensifikuar diversifikimin e furnizimit me gaz.

/KosovaNews/

Burimet: KosovaPress, Radio Evropa e Lirë, plavaeguciasot, Newsformal

Related Articles

Back to top button
error: JO !!