NACIONALE

Konushevci: Financimi i protezave për invalidët e luftës është i garantuar, asnjë kërkesë nuk është në pritje

Kryetari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, Arton Konushevci, ka reaguar pas debatit dhe raportimeve të fundit lidhur me mosmiratimin nga ana e deputetëve të VV-së të amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje të tjera mjekësore për invalidët e luftës.

Përmes një postimi në Facebook, Konushevci ka sqaruar se financimi i protezave për invalidët e luftës së UÇK-së ka filluar që nga viti 2023, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 është zgjeruar edhe për invalidët civilë të luftës.

Sipas tij, përfituesit kanë të drejtë të zgjedhin vetë institucionin ku dëshirojnë të marrin shërbimin, ndërsa shpenzimet mbulohen në masën 100 për qind.

Konushevci ka theksuar se deri më tani të gjithë personave që kanë pasur nevojë për proteza dhe pajisje të ngjashme mjekësore u janë mbuluar shpenzimet dhe se aktualisht nuk ka asnjë kërkesë në pritje të trajtimit.

Ai ka nënvizuar se mosmiratimi i amendamentit për mjete shtesë buxhetore nuk nënkupton mungesë financimi për këtë kategori, pasi mekanizmi ekzistues vazhdon të funksionojë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Konushevci, deri më tani nga skema kanë përfituar 103 persona, ndërsa vlera e përgjithshme e rimbursimeve të miratuara arrin në 1.48 milion euro.

“Nga ta, 58 invalidë të luftës së UÇK-së kanë përfituar rimbursime në vlerë prej mbi 1 milion eurosh, ndërsa 45 invalidë civilë të luftës kanë përfituar mbi 466 mijë euro”, ka bërë të ditur ai.

Konushevci ka shtuar se Qeveria Kurti e ka institucionalizuar financimin e këtij shërbimi përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, duke e larguar, sipas tij, administrimin nga vendimmarrja individuale.

Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe mënyrën se si është trajtuar çështja në debatin politik, duke vlerësuar se tema është përdorur për qëllime politike dhe për përfitime në rrjetet sociale, në vend që fokusi të jetë te nevojat reale të përfituesve.

“Invalidët e luftës dhe invalidët civilë të luftës meritojnë trajtim dinjitoz, mbështetje të vazhdueshme dhe informacion të saktë për të drejtat e tyre”, ka theksuar Konushevci, duke shtuar se do të vazhdojë mbikëqyrjen parlamentare për zbatimin e këtij mekanizmi dhe përmirësimin e trajtimit të kategorive të dala nga lufta.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!