Kurti: Tregtia me Gjermaninë kaloi mbi 1 miliard euro
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) po mban edicionin e tretë të Forumit ekonomik gjermano – kosovar, ku pjesëmarrës është edhe kryeministri Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të institucioneve shtetërore, bizneseve dhe industrisë nga të dyja vendet.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke vënë në pah potencialin për rritjen e investimeve, zgjerimin e bashkëpunimit dhe krijimin e partneriteteve afatgjata.
“Vitin e kaluar, për herë të parë, tregtia e mallrave ndërmjet dy vendeve tona kaloi mbi 1 miliard euro”, deklaroi Kurti, duke theksuar se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është ndërtuar mbi lidhje të forta historike dhe njerëzore.
Ai bëri të ditur se rreth 200 kompani me kapital gjerman tashmë operojnë në Kosovë, ndërsa Gjermania mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i vendit. Sipas tij, gjatë dhjetë viteve të fundit, eksportet e Kosovës drejt Gjermanisë janë rritur më shumë se nëntëfish, nga më pak se 12 milionë euro në vitin 2015, në mbi 107 milionë euro në vitin 2025.
Kurti foli edhe për rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve, duke përmendur se gjatë vitit të kaluar diaspora kosovare dërgoi mbi 1.4 miliard euro në vendlindje. Ai theksoi se vetëm nga Gjermania, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, kanë ardhur rreth 5.5 miliardë euro në remitanca.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu kontributin e qytetarëve që kanë studiuar dhe punuar në Gjermani, duke theksuar se njohuritë profesionale, aftësitë teknike dhe përvoja e tyre ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Ai tha se synimi i vendit është të tërheqë investime të reja, të forcojë zinxhirët e furnizimit dhe të zgjerojë bashkëpunimin në teknologji dhe inovacion.
Duke folur për zhvillimet ekonomike në Evropë, Kurti theksoi se ndryshimet në industri, përparimi i inteligjencës artificiale dhe rëndësia në rritje e sigurisë energjetike po krijojnë mundësi të reja për Kosovën në bashkëpunimin me partnerët evropianë.
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar synon të shërbejë si platformë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, identifikimin e mundësive të reja për investime dhe forcimin e partneritetit ekonomik mes Kosovës dhe Gjermanisë.



