Kurti kërkon raport për lëshimet institucionale para vrasjes së Arlinda Zekajt
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar raport të detajuar për të gjitha lëshimet e mundshme institucionale që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Në mbledhjen e tetë të Qeverisë, Kurti tha se paralajmërimet e mëhershme, të cilave institucionet nuk u janë përgjigjur siç duhet, e bëjnë rastin edhe më shqetësues.
Ai ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të evidentojnë përgjegjësitë në secilën hallkë institucionale. Raporti duhet të dorëzohet nesër, deri në orën 18:00, ndërsa përmbajtja e tij do të bëhet publike.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thirrur një takim urgjent me përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, në nivel qendror dhe lokal, për të shqyrtuar rrethanat e rastit.
Kurti ka ngritur shqetësime edhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë garanci për mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të atyre më të cenueshëm. Sipas tij, problemet në sistem kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi institucionale.



