Nagavci inicion komision hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje,
Arberie Nagavci ka bërë të ditur se kanë iniciuar themelimin e një komisioni hertimor parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ajo ka thënë se komisioni, me mandat gjashtëmujor, do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e të gjithë zinxhirit institucional përgjegjës për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së Arlinda Zekajt, nga trajtimi i denoncimeve dhe paralajmërimeve te vlerësimi i rrezikut, zbatimi i urdhrave të mbrojtjes dhe veprimet e policisë, prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
“Hetimi do të përfshijë edhe funksionimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Brenda 60 ditëve nga themelimi, komisioni parashihet t’i paraqesë kuvendit raportin e përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë veprim të menjëhershëm. Asnjë neglizhencë, vonesë apo mosveprim institucional nuk duhet të mbetet pa u shqyrtuar. Duhet të zbardhet se kush ka pasur detyrimin të veprojë, çfarë veprimesh janë ndërmarrë dhe ku ka dështuar mbrojtja institucionale”, ka thënë Nagavci.
Postimi i plotë i Nagavcit:
Arlinda Zekaj, e cila kishte kërkuar ndihmë dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, përfundoi e vrarë. Ky rast kërkon përgjigje të qarta, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale. Andaj, kemi iniciuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar.
Komisioni, me mandat gjashtëmujor, do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e të gjithë zinxhirit institucional përgjegjës për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së Arlinda Zekajt, nga trajtimi i denoncimeve dhe paralajmërimeve te vlerësimi i rrezikut, zbatimi i urdhrave të mbrojtjes dhe veprimet e policisë, prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Hetimi do të përfshijë edhe funksionimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Brenda 60 ditëve nga themelimi, komisioni parashihet t’i paraqesë kuvendit raportin e përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë veprim të menjëhershëm.
Asnjë neglizhencë, vonesë apo mosveprim institucional nuk duhet të mbetet pa u shqyrtuar. Duhet të zbardhet se kush ka pasur detyrimin të veprojë, çfarë veprimesh janë ndërmarrë dhe ku ka dështuar mbrojtja institucionale.
Bazuar në gjetjet e hetimit, do të kërkojmë masa konkrete, adresimin e përgjegjësive tek organet kompetente dhe përmirësimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Institucionet duhet të veprojnë para se të jetë vonë. Heshtja, neglizhenca dhe papërgjegjësia nuk mund të tolerohen!



