NACIONALE

​Rikthimi i Ligjit për Specialen, Nagavci: Duhet të dimë saktë çfarë synohet të ndryshohet

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar sot sqarime nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me ndryshimet që synohen të bëhen në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pas rikthimit të tij në Kuvend nga presidentja.

Nagavci ka thënë se përpara se të ndërmerren hapa të mëtejshëm, duhet të dihet konkretisht se cilat nene të ligjit synon t’i ndryshojë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe cilat janë propozimet e saj.

Ajo ka vlerësuar se është e papërgjegjshme që Kuvendi të procedojë me ndryshime pa pasur një pasqyrë të qartë të përmbajtjes së tyre.

Nagavci kërkon sqarime nga PDK: Duhet ditur saktë çfarë synohet të ndryshohet në Ligjin për Specialen

“Ne kemi pasur dilemat tona që në propozimet e para të grupit të PDK-së. Është shumë keq që tash erdhëm në një situatë ku u kthyem pothuajse në pikën zero përsëri. Për të ditur se si duhet të veprojmë tutje, duhet ta dimë në mënyrë specifike se cilat janë kërkesat. Përfaqësues të PDK-së duan të ndryshojnë disa nene, por nuk e dimë cilat janë ato nene dhe çfarë propozojnë të ndryshojnë. Nevojitet një shqyrtim i kujdesshëm, pasi vlerësojmë se është papërgjegjësi totale e Kuvendit dhe e atyre që iniciojnë të vazhdojnë me ndryshime nëse vijmë në të njëjtën situatë, pa e ditur se çfarë po synohet të ndryshohet”, tha ajo.

Presidentja Justina Shiroka-Pula, javën e kaluar, ka kthyer në Kuvend e Kosovës Ligjin për Specialen, me kërkesë të PDK-së.

Nagavci është ndalur edhe te procedura që duhet të ndiqet pas kthimit të projektligjit nga presidentja, duke thënë se ekzistojnë dy mundësi, Kuvendi ta hedhë poshtë propozimin e presidentes me 61 vota ose ta miratojë propozimin për rikthimin e projektligjit.

Në këtë kontekst, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së i është referuar një aktgjykimi në rastin Jahjaga, për të cilin ka thënë se nuk lë hapësirë për amendamentimin apo ndryshimin e ligjit në këtë fazë.

Nagavci ka bërë të ditur se Komisioni për Legjislacion duhet ta shqyrtojë letrën e presidentes dhe më pas t’i drejtohet Kuvendit me një raport për këtë çështje.

Rikthimi në Kuvend i Ligjit për Specialen, këto janë procedurat sipas Nagavcit

“Ne e dimë se nga ana procedurale, pas kthimit të projektligjit nga presidentja, janë dy mundësi: që Kuvendi, me 61 vota, ta hedhë poshtë propozimin e presidentes apo, e kundërta, ta miratojë propozimin për rikthimin e projektligjit. Tashmë ka tri precedentë në lidhje me këtë. Është një aktgjykim në rastin Jahjaga, i cili tregon se nuk ka hapësirë për amendamentimin apo ndryshimin e ligjit. I njëjti hidhet poshtë apo mbetet në fuqi. Ndërkohë, janë edhe dy projektligje që janë rikthyer me të drejtën e vetos nga ish-presidentja Vjosa Osmani, të cilat kanë mbetur pa u shqyrtuar dhe janë hedhur poshtë. Kjo është një çështje që duhet ta shqyrtojmë. E dini se janë katër javë nga letra e presidentes dhe Komisioni për Legjislacion duhet ta shqyrtojë këtë letër të presidentes dhe pastaj të na drejtohet si Kuvend me raport. Besoj se kjo çështje duhet të trajtohet me kujdes”, potencoi ajo. 

Related Articles

Back to top button
error: JO !!