Rasti i vrasjes së Arlinda Zekës – një akuzë e rëndë ndaj papërgjegjësisë institucionale!
Shkruan: Bedri Elezi
Rasti tragjik i vrasjes së Arlinda Zekës nuk është vetëm një krim që duhet të tronditë ndërgjegjen e shoqërisë sonë. Ai është edhe një moment që kërkon një analizë të thellë, një llogaridhënie institucionale dhe një përgjigje të qartë për performancën e mekanizmave shtetërorë të sigurisë dhe drejtësisë.
Ne kemi të drejtë të kërkojmë llogari! Madje, kemi detyrim qytetar dhe institucional që të kërkojmë përgjegjësi për çdo veprim të munguar, çdo neglizhencë të mundshme dhe çdo dështim të mekanizmave shtetërorë që kanë pasur detyrimin ligjor dhe profesional të parandalojnë humbjen e jetëve njerëzore.
Nuk mund të mjaftohemi më me deklarata ngushëlluese, reagime publike dhe premtime që harrohen pas disa ditësh. Çdo rast i një vrasjeje që mund të jetë parandaluar, çdo paralajmërim që nuk është trajtuar me seriozitet, çdo sinjal rreziku që nuk është vlerësuar dhe çdo dosje e rëndë penale që vazhdon të mbetet pa zbardhje, duhet të jetë objekt i një hetimi serioz mbi përgjegjësinë institucionale.
Dhe kjo kërkesë nuk fillon me rastin e Arlinda Zekës. Ajo duhet të shtrihet në të gjitha rastet që kanë ngritur dyshime për dështime të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë, duke filluar nga rasti i vëllezërve Dehari dhe duke vazhduar me çdo rast tjetër ku familjet dhe opinioni publik presin ende përgjigje.
Nuk mund të ketë drejtësi selektive, përgjegjësi të pjesshme dhe harresë institucionale!
Institucionet e sigurisë nuk mund të vlerësohen vetëm nga numri i arrestimeve, ndërsa institucionet e drejtësisë vetëm nga numri i aktakuzave. Performanca e tyre matet para së gjithash me aftësinë për të parandaluar krimin, për të mbrojtur jetën e qytetarëve, për të hetuar paanshëm dhe për të siguruar drejtësi brenda një afati të arsyeshëm.
Si ekspert i sigurisë, prej vitesh kam ngritur shqetësimin për nevojën e dekriminalizimit, profesionalizimit dhe depolitizimit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Një shtet ku qytetarët humbin besimin se institucionet mund t’i mbrojnë, përballet jo vetëm me krizë të sigurisë, por edhe me krizë të besimit në vetë shtetin.
Prandaj, kërkojmë:
- Hetim të pavarur për çdo veprim dhe mosveprim institucional që mund të ketë ndikuar në mosparandalimin e vrasjeve.
- Verifikim të përgjegjësive të zyrtarëve policorë, prokurorialë dhe gjyqësorë në rastet ku ka pasur paralajmërime apo sinjale të mëparshme rreziku.
- Rishqyrtim të rasteve të pazbardhura dhe atyre që kanë ngritur dyshime serioze për dështime në hetim.
- Llogaridhënie konkrete, përfshirë përgjegjësi disiplinore, administrative dhe penale, aty ku konstatohen shkelje.
- Reformë të thellë në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, me mekanizma realë të mbikëqyrjes dhe kontrollit të integritetit.
Jeta e qytetarit nuk mund të jetë çmimi i papërgjegjësisë institucionale!
Nuk kërkojmë drejtësi përmes presionit, as fajësim pa prova. Kërkojmë hetim të pavarur, transparencë, prova dhe përgjegjësi ligjore për secilin që ka shkelur detyrën e tij.
Arlinda Zeka dhe të gjitha viktimat e rasteve të pazbardhura meritojnë më shumë se fjalë. Familjet e tyre meritojnë të vërtetën. Shoqëria meriton siguri. Ndërsa shteti duhet të dëshmojë se askush nuk është mbi përgjegjësinë dhe se asnjë dështim institucional nuk do të mbulohet me heshtje.
Nuk mjafton të vajtojmë viktimat pasi të kenë humbur jetën. Detyrimi i shtetit është t’i mbrojë para se të jetë tepër vonë!
The post Rasti i vrasjes së Arlinda Zekës – një akuzë e rëndë ndaj papërgjegjësisë institucionale! appeared first on Veriu.info.


