Vjosa Osmani prezanton Brikena Muharremin si pjesë të ekipit të saj
Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e juristes shqiptare Brikena Muharremi, duke e cilësuar atë si shembull suksesi dhe përkushtimi ndaj Kosovës.
Osmani ka theksuar se rrugëtimi i Muharremit, nga shkollat e mbyllura shqipe në Mitrovicë deri te sistemi i drejtësisë në Britaninë e Madhe, dëshmon se suksesi ndërkombëtar mund të arrihet pa u shkëputur nga rrënjët dhe komuniteti shqiptar.
Sipas Osmanit, Brikena Muharremi u bë avokatja e parë shqiptare e kualifikuar në Britaninë e Madhe dhe për më shumë se dy dekada ka ushtruar profesionin e barrister-it në Angli dhe Uells, duke përfaqësuar edhe institucione britanike në procese të rëndësishme juridike.
Osmani ka përmendur edhe angazhimin e saj në diasporë, si themeluese e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë dhe anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, ndërsa ka vlerësuar faktin që ajo është dekoruar me titullin “Ambasadore e Kombit”.
“Nga puna dhe përkushtimi i saj, Brikena ka kthyer suksesin personal në shërbim të komunitetit dhe kombit”, ka deklaruar Osmani.
Njoftimi i plotë i Osmanit:
Nga bankat e mbyllura të shkollave shqipe në Mitrovicë, deri te sallat e drejtësisë në Britaninë e Madhe, Brikena Muharremi është dëshmi se si mund të arrihen majat më të larta pa harruar kurrë rrënjët e veta.
Brikena Muharremi i përket atij brezi që, me punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, arritën të ndërtojnë emër në sistemet më konkurruese ndërkombëtare, pa e humbur asnjëherë lidhjen me Kosovën dhe komunitetin shqiptar.
Si nxënëse e shkëlqyer në Kosovë, ajo u detyrua të largohej nga vendi pas mbylljes së shkollave shqipe nga regjimi serb. Në Britani vazhdoi studimet për drejtësi, ku u diplomua me rezultate të larta dhe u bë avokatja e parë shqiptare e kualifikuar në Britaninë e Madhe.
Për më shumë se dy dekada, Brikena ka ushtruar profesionin e barrister-it në Angli dhe Uells, duke punuar në një prej sistemeve juridike më të avancuara në botë dhe duke përfaqësuar edhe institucione shtetërore britanike në procese komplekse e të profilit të lartë.
Angazhimi i saj ka shkuar përtej suksesit profesional individual. Si themeluese dhe kryetare e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë dhe si anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, ajo ka qenë zë i fuqishëm i mërgatës sonë.
Përmes punës së saj, Brikena ka kontribuar në fuqizimin e profesionistëve shqiptarë, promovimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e mundësive për gjeneratat e reja.
E dekoruar me titullin “Ambasadore e Kombit” nga Republika e Shqipërisë, ajo përfaqëson shembullin e një profesionisteje që suksesin e ka kthyer në shërbim për komunitetin dhe kombin.
E dashur Brikena, me padurim pres të bëjmë së bashku punë të mira në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve tanë
The post Vjosa Osmani prezanton Brikena Muharremin si pjesë të ekipit të saj appeared first on KosovaNews.



