Qeveria miraton marrëveshjen për ekstradim me Francën
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës. Ekzekutivi i ka dhënë dritën e gjelbër edhe marrëveshjes së ndihmës juridike të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se marrëveshja për ekstradim paraqet një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit juridik me Francën, duke krijuar një bazë ligjore për ekstradimin e personave të kërkuar, qoftë për ndjekje penale, qoftë për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara nga organet e drejtësisë.
“Ky akt shënon një hap të rëndësishëm të një bashkëpunimi juridik me një nga partnerët tanë kyç evropianë. Marrëveshja përcakton veprat penale për të cilat lejohet ekstradimi, kushtet dhe procedurat e dorëzimit, si dhe rastet e refuzimit të tij”, tha Ahmeti.
Viza për shtetasit e Belizesë
Krahas kësaj, Qeveria ka miratuar vendosjen e regjimit të vizave për shtetasit e Belizesë, duke e larguar këtë shtet nga lista e vendeve të përjashtuara nga ky regjim.
Sipas Ahmetit, masa është pjesë e përafrimit gradual të politikës së vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian dhe përmbushjes së angazhimeve për vitin 2026 në kuadër të Reformave dhe Planit të Rritjes.
Ai potencoi se përmbushja e këtij hapi reformues lidhet me përfitimin e 6.26 milionë eurove në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Vazhdon skema e bursave për 8200 studentë
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar edhe vazhdimin e zbatimit të Masës 3.8, “Bursa e Mobilitetit për Studentë”, pjesë e Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, tha se skema do të vazhdojë t’i mbështesë studentët në mënyrë të drejtë, duke marrë parasysh distancën gjeografike nga institucioni i arsimit të lartë. Nga kjo skemë, sipas materialit të prezantuar, përfitojnë 8 mijë e 200 studentë.
“Vazhdimi i saj u garanton studentëve siguri dhe stabilitet financiar gjatë vitit akademik”, theksoi Kryeziu.
Katër projektligje të tjera për marrëveshje ndërkombëtare
Qeveria ka miratuar gjithashtu katër projektligje të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që kanë të bëjnë me ratifikimin e konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Hagës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës të vitit 2005; Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Ljublanës/Hagës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare; Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Hagës për Aktgjykimet e vitit 2019, që rregullon njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja në çështjet civile ose tregtare; Projektligjin për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). /KosovaNews/



