Konjufca: Kosova synon anëtarësimin e plotë në Konferencën e Frankofonisë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka riafirmuar synimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF).
Në një postim në platformën X, Konjufca ka bërë të ditur se këtë qëndrim e ka shprehur në Konferencën e 48-të Ministrore të Frankofonisë, e cila po mbahet në Phnom Penh të Kamboxhias.
Ai ka theksuar se Kosova është e gatshme dhe ka kapacitet t’i marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që burojnë nga anëtarësimi.
Konjufca ka falënderuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Kamboxhias, Prak Sokhonn, për hapjen dhe drejtimin e konferencës, si dhe Mbretërinë e Kamboxhias për mikpritjen.
Duke iu referuar Samitit të 20-të të Frankofonisë, ai ka thënë se thirrja për riinvestim në paqe ka rëndësi të veçantë për Kosovën, e cila e ka ndërtuar demokracinë pas luftës.
Sipas tij, historia e Kosovës e ka formësuar përkushtimin e saj ndaj dialogut dhe bindjen se pajtimi i vërtetë kërkon të vërtetën dhe llogaridhënien.
Konjufca ka theksuar gjithashtu se paqja e qëndrueshme duhet t’u ofrojë të rinjve perspektivë për të ardhmen.



