NACIONALE

Zulfaj: Kosova ka shënuar progres, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për BE

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke vënë në pah mospërputhjen mes përmirësimeve të vendit në treguesit ndërkombëtarë dhe statusit të tij në raport me BE-në.

Zulfaj ka thënë se Kosova ka shënuar përparim në pesë tregues ndërkombëtarë që matin sundimin e ligjit, liritë demokratike, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe zgjedhjet.

Megjithatë, ai ka theksuar se Kosova, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.

“Ky është kuptimi i asaj që kryeministri Kurti thotë kur deklaron se statusi i Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk pasqyron progresin e saj. Progresi i Kosovës është i matshëm. Në pesë tregues ndërkombëtarë që matin sundimin e ligjit, liritë demokratike, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe zgjedhjet, Kosova ka shënuar përmirësime gjatë periudhave përkatëse”, ka shkruar Zulfaj.

Ai ka kërkuar që përparimi i Kosovës të njihet dhe reformat e ndërmarra të shpërblehen, duke theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të bazohet në meritë dhe të zbatohet njësoj për të gjitha vendet.

“Progresi duhet të njihet. Reformat duhet të shpërblehen. Procesi i zgjerimit duhet të bazohet në meritë dhe të zbatohet njësoj për të gjithë. Kosova është e gatshme të bëjë hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Zulfaj.

Reagimi i tij vjen në kohën kur Kosova vazhdon të kërkojë avancim në procesin e integrimit evropian, pas aplikimit për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!