Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare në fokus të Samitit të Ballkanit
Investimet në infrastrukturën sportive dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” kanë qenë në fokus të diskutimeve në kuadër të Samitit të Ballkanit, i cili po zhvillohet më 19 dhe 20 tetor në Prishtinë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, investitorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve financiare, raporton RTKLIVE.
Ministria: Angazhimi i Qeverisë
Ministria e Sportit dhe Rinisë, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se në panelin kushtuar kësaj teme është përfaqësuar nga Drilon Brahimi, këshilltar i lartë i ministrit Blerim Gashani.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka garantuar angazhimin për zhvillimin e infrastrukturës sportive në të gjithë territorin e vendit”, ka bërë të ditur ministria, duke iu referuar prezantimit të Brahimit gjatë diskutimeve.
Sipas njoftimit, investimet e planifikuara nuk synojnë vetëm përmbushjen e kërkesave për organizimin e Lojërave, por edhe krijimin e kushteve moderne dhe afatgjata për sportistët, klubet, federatat dhe komunitetet në mbarë Kosovën.

Gjatë panelit, Brahimi ka dhënë edhe detaje konkrete: aktualisht po rinovohen sallat sportive në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe qytete të tjera, ndërsa për rinovimin e Qendrës së Studentëve – e cila do të shërbejë si “Fshati i Atletëve”, është nënshkruar marrëveshje kredie me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD). Atje do të ndërtohen tre konvikte të reja, një pishinë dhe një seksion i ri për studentë.
Rreziku i humbjes së organizimit
Diskutimet vijnë në një moment delikat. Ngjarja më e madhe sportive që i është besuar Kosovës për organizim është vënë në rrezik, raporton koha.net. Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), përmes një letre dërguar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës Përparim Rama dhe kryetarit të Komitetit Olimpik Ismet Krasniqi, ka lënë të hapur mundësinë e shqyrtimit që organizimi t’ia besohet një vendi tjetër.
Kryetari i Prishtinës, i cili publikoi letrën të enjten, ka thënë se organizimi është në rrezik për shkak të vonesës në përmbushjen e obligimeve.
“Më 19 dhjetor do të shqytohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një asambleje të jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e lojërave. Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Rama në Facebook, duke akuzuar Kurtin, i cili është edhe kryetar i Këshillit të Komitetit Organizativ si përgjegjësin kryesor për moskryerjen e detyrimeve.
Sipas letrës, Kosova nuk i ka kryer garancitë bankare, njëra prej të cilave duhej kryer në janar të këtij viti e tjetra në qershor.
“ICMG i konsideron rrethanat e lartpërmendura si tregues të qartë të vështirësive serioze nga ana e Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare dhe palëve në zbatimin e duhur të kontratës së qytetit nikoqir dhe amendamentit të tij, vështirësi të cilat në mënyrë të pashmangshme e vënë në rrezik serioz përgatitjen dhe organizimin e duhur të Lojërave Mesdhetare 2030”, shkruan në letrën e ICMG-së.
Reagimi i ministrit Gashani
“Ne po vazhdojmë punën me përgjegjësi, seriozitet dhe dedikim, në bashkëpunim me ICMG-në, por edhe të gjithë partnerët dhe institucionet përkatëse, për të siguruar që çdo punë, çdo proces dhe çdo obligim që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të realizohet në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara. Vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”, shkruan në reagimin e ministrit Gashani.

Pas publikimit të letrës, ka reaguar ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, duke insistuar se “Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030”.



