NACIONALE

LVV kërkon ndryshimin e kandidatëve, PDK e LDK kundërshtojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se pret gatishmëri nga PDK-ja dhe LDK-ja për të ndryshuar kandidatët e tyre për nënkryetarë të Kuvendit, por nga LDK-ja kanë bërë të qartë se nuk pranojnë kushtëzime për kandidaturën e Kujtim Shalës. Ndërkohë, PDK-ja vazhdon ta mbështesë kandidaturën e Vlora Çitakut.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se pret vullnet dhe gatishmëri nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për të ndryshuar propozimet e tyre për nënkryetarë të Kuvendit.

“Ndoshta kanë gjetë pak vullnet për me bërë zgjidhje kësaj krize. Të shohim…”, ka thënë Abrashi.

PDK-ja ka propozuar Vlora Çitakun, ndërsa LDK-ja Kujtim Shalën për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
LVV-ja ka bërë të ditur se nuk i ka votat për këta dy kandidatë, duke e lidhur qëndrimin e saj me deklarimet e tyre rreth një marrëveshjeje për çështjen e presidentit.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë të qartë se emri i Vlora Çitakut vazhdon të jetë propozimi i partisë për pozitën e nënkryetares së Kuvendit.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kundërshtuar kërkesën që partia e tij të ndryshojë kandidatin për nënkryetar.

Zemaj ka thënë se LDK-ja nuk funksionon me kushtëzime dhe se nuk pranon atë që e cilësoi si logjikë të LVV-së për t’i nënshtruar subjektet e tjera politike.

“Ne nuk funksionojmë me kushtëzime. S’jemi ata që e bllokojmë konstituimin. Mund t’i tejkalojmë ato që janë subjektive. Logjika e VV-së për t’i nënshtruar të tjerët, nuk kalon”, ka deklaruar Zemaj.

Kështu, përplasjet mes partive rreth kandidatëve për nënkryetarë po vazhdojnë, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një kompromis për tejkalimin e ngërçit në procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës do ta vazhdoj sot seancën konstituive, me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, vazhdimi i seancës do të nisë në orën 11:00, në sallën e seancave.

The post LVV kërkon ndryshimin e kandidatëve, PDK e LDK kundërshtojnë first appeared on KosovaNews.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!