NACIONALE

Ministri Krasniqi dorëzon kërkesë zyrtare për tri komunat e veriut, ka dy kërkesa urgjente

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi u ka dërguar sot kërkesë zyrtare kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin-Potokut për emërimin e nënkryetarëve për komunitete.

Krasniqi ka kërkuar përmbushjen e obligimeve me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
“Në cilësinë e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, u kam drejtuar kërkesë zyrtare kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin-Potokut, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në përmbushjen e obligimeve ligjore për përfaqësimin e komuniteteve në institucionet e pushtetit lokal.
Konkretisht, kërkesa përfshin:

 Emërimin e nënkryetarëve për komunitete;

 Emërimin e zëvendëskryesuesve të kuvendeve komunale për komunitete.

Këto nuk janë çështje të vullnetit institucional, por obligime të përcaktuara me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Është e rëndësishme të theksohet se ka komuna si Gjakova, Lipjani, Ferizaj dhe të tjera, të cilat edhe pse nuk kanë pasur obligim të drejtpërdrejtë ligjor për një përfaqësim të tillë, e kanë përmbushur atë përmes vullnetit politik dhe institucional, duke dëshmuar përkushtim për gjithëpërfshirje dhe përfaqësim të komuniteteve.

Në anën tjetër, është e papranueshme që komunat të cilat e kanë obligim ligjor të mos i kenë përmbushur këto detyrime.

Si MAPL, do të vazhdojmë të kërkojmë nga të gjitha komunat respektimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit për vetëqeverisjen lokale, duke garantuar përfaqësim, gjithëpërfshirje dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet”, shkruan Krasniqi në një njoftim.

The post Ministri Krasniqi dorëzon kërkesë zyrtare për tri komunat e veriut, ka dy kërkesa urgjente first appeared on KosovaNews.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!