Riho Terras: Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim
Eurodeputeti estonez Riho Terras, është zyrtari i parë evropian që ka reaguar pas interpretimit të instrumentalit të këngës nacionaliste “Oj Kosovo, Kosovo” në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që po mbahet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim Marta Kos.
Terras, që është edhe raportues për Kosovën i Parlamentit Evropian, përmes një postimi në platformën “X” ka shkruar se “interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon se Kosova i përket Serbisë, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, është një gafë jashtëzakonisht e papërshtatshme dhe pa shije”.
Tutje Terras ka theksuar se “ose se bëhet fjalë për një provokim të qëllimshëm, ose për një injorancë të theksuar”, duke shtuar se “Komisoni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”.
Reagimi i raportuesit për Kosovën Riho Terras, dëshmon se çështja ka nisur të marrë vëmendje edhe në vetë Parlamentin Evropian.



