Shqipëria nis aventurën në Ligën e Kombeve, pret Bjellorusinë në “Air Albania”
Shqipëria pret sot Bjellorusinë në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, që do të nisë në orën 20:45.
Sfida shënon edhe debutimin e trajnerit italian Rolando Maran në një ndeshje zyrtare në stolin e Kombëtares shqiptare. Pas disa ditësh përgatitje, tekniku kuqezi ka deklaruar se ka parë dëshirë dhe angazhim te futbollistët, ndërsa nuk ka zbuluar formacionin që do të zbresë në fushë.
“Nis aventura ime si trajner i Shqipërisë. Është emocioni që të jep krenari, të bën të japësh më shumë dhe kjo më stimulon më shumë”, është shprehur Maran.
Kuqezinjtë synojnë ta nisin me rezultat pozitiv fushatën në Ligën e Kombeve, me objektiv vendin e parë në grup. Edhe kapiteni Berat Gjimshiti ka theksuar ambicien e skuadrës për të vijuar rrugën drejt një tjetër pjesëmarrjeje në Kampionatin Europian.
“Duam vendin e parë, të kemi mundësinë për të shkuar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi dhe kjo është rruga e duhur”, tha Gjimshiti.
Për sfidën ndaj Bjellorusisë, Maran nuk do të ketë në dispozicion Qazim Laçin, i cili mungon për shkak të një dëmtimi të pësuar një ditë para ndeshjes.
Në tribunë do të qëndrojnë Adrion Pajaziti, Luis Hasa, Sabah Kerjota dhe portieri Simon Simoni. Ndërkohë, një lajm pozitiv për stafin teknik është rikuperimi i Kristjan Asllanit.
Në këtë grumbullim mungojnë gjithashtu Armando Broja, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani, ndërsa pas një mungese prej dy vitesh në Kombëtare është rikthyer portieri Etrit Berisha.
Bjellorusia vjen në Tiranë pas një serie prej gjashtë ndeshjesh pa humbje, duke e bërë sfidën e sotme një test të rëndësishëm për kuqezinjtë në nisje të aventurës së re.
Pas përballjes me Bjellorusinë, Shqipëria do të luajë edhe tri ndeshje të tjera në Ligën e Kombeve: më 29 shtator ndaj San Marinos, më 3 tetor ndaj Finlandës dhe më 6 tetor sërish ndaj San Marinos.
Lista e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Simon Simoni.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj, Ivan Balliu.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi, Sabah Kerjota.
Sulmues: Rey Manaj, Mirlind Daku, Myrto Uzuni, Cristian Shpendi.
The post Shqipëria nis aventurën në Ligën e Kombeve, pret Bjellorusinë në “Air Albania” first appeared on KosovaNews.



