Pas fitores ndaj Irlandës, Kosova nis përgatitjet për duelin me Austrinë
Pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, Kombëtarja e Kosovës i është rikthyer menjëherë përgatitjeve për ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve.
“Dardanët” të dielën mbrëma do të përballen me Austrinë në Vjenë, në duelin e dytë të këtij cikli.
Në seancën stërvitore të zhvilluar sot, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 16 futbollistë, ndërsa lojtarët që nisën nga minuta e parë ndaj Irlandës zhvilluan një seancë rigjeneruese në hotel.
Atmosfera në kampin e Kosovës para sfidës së radhës është pozitive, pas triumfit të arritur në “Fadil Vokrri”.
“Atmosfera në kampin dardan është pozitive dhe energjia është në nivelin më të lartë. Tashmë, i gjithë fokusi është te përgatitjet për sfidën e së dielës në Vjenë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kosova synon ta vazhdojë serinë pozitive edhe në udhëtim ndaj Austrisë, në një tjetër përballje të rëndësishme në Ligën e Kombeve.
Një ndeshje e re, një sfidë e re – e njëjta zemër për Kosovën!
The post Pas fitores ndaj Irlandës, Kosova nis përgatitjet për duelin me Austrinë first appeared on KosovaNews.



