SPORTI

Mbappe: Nuk kishte lojtar më të mirë se unë, e meritoj `Topin e Artë`

Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka deklaruar se beson plotësisht se e meriton ta fitojë “Topin e Artë” këtë vit, pavarësisht se nuk ka fituar asnjë trofe me klubin apo me Francën gjatë sezonit.

Në një intervistë për revistën France Football, ai ka thënë se çmimi është individual dhe se paraqitjet e tij e bëjnë kandidatin më të fortë.

“Besoj se mund ta fitoj këtë vit. Është një nga objektivat e mi afatshkurtër. Njerëzit thonë se nuk kam fituar trofe, por ‘Topi i Artë’ është një çmim individual. Nuk kam parë kurrë një fitues të zgjidhet me 100 për qind të votave”, ka thënë Mbappe.

Sulmuesi francez ka shënuar pesëmbëdhjetë gola në Champions League dhe njëzet e pesë në La Liga, ndërsa në Kupën e Botës ka arritur kuotën e njëzet e dy golave, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e këtij kompeticioni, edhe pse Franca është eliminuar nga Spanja me rezultat 2:0 në gjysmëfinale.

“Për mua, ideja e ‘Topit të Artë’ vjen nga epoka e Messit dhe Ronaldos. Nuk ia jep një lojtari të zakonshëm, por një lojtari që bën diçka ndryshe. Mendoj se këtë vit kam bërë gjëra të veçanta dhe besoj se mund ta fitoj”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse e konsideron veten fitues të denjë, Mbappe ka dhënë një përgjigje të prerë.

“Nuk kishte lojtar më të mirë se unë. Po flasim për arritjet. Të shënosh kaq shumë gola në garat më të mëdha, ku luajnë futbollistët më të mirë në botë, dhe pastaj në Kupën e Botës, kompeticionin më të madh, duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori, është diçka e jashtëzakonshme”, ka deklaruar ai.

Mbappe ka theksuar se rekordi bëhet edhe më i veçantë për faktin se e ka kaluar Lionel Messin, të cilin shumë e konsiderojnë lojtarin më të madh të historisë, krahas Cristiano Ronaldos.

“Është fantastike. Këto janë arritje që të dallojnë nga të tjerët”, ka thënë sulmuesi francez.

Në intervistë, Mbappe ka folur edhe për trajnerin e ri të Francës, Zinedine Zidane, duke e cilësuar legjendën e futbollit francez si figurën që mishëron më së miri kombëtaren.

“Për francezët ai do të thotë shumë. Është një legjendë, përfaqëson elegancën dhe madhështinë. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit francez”, ka përfunduar Mbappe.

The post Mbappe: Nuk kishte lojtar më të mirë se unë, e meritoj `Topin e Artë` first appeared on KosovaNews.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!