NACIONALE

Xheladini i LDK-së, hesht para deponisë së egër në Mlikë – banorët hasin në vesh të shurdhër

Banorët e fshatit Mlike të Komunës së Dragashit që udhëhiqet nga Bexhet Xheladini i LDK-së, kanë ngritur shqetësimin për krijimin e një deponie të egër në hyrje të fshatit, ku sipas tyre prej kohësh po hidhen mbeturina ndërtimore dhe shtëpiake në mënyrë të paligjshme.

Në një ankesë të derguar në redaksinë e KosovaNews, banorët thonë se hapësira e hyrjes së fshatit tashmë është shndërruar në një pikë grumbullimi mbeturinash, ku çdo ditë hidhen materiale të ndryshme si mbetje ndërtimore, mobilje të vjetra, plastikë, qese me mbeturina dhe mbetje të tjera shtëpiake, transmeton KosovaNews.

Sipas tyre, situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se në atë lokacion ekziston tabelë që ndalon hedhjen e mbeturinave, por pavarësisht kësaj, persona të papërgjegjshëm vazhdojnë të hedhin mbeturina duke mos respektuar paralajmërimet dhe rregullat.

Banorët deklarojnë se disa herë e kanë ngritur këtë problem dhe kanë kërkuar reagim nga institucionet përgjegjëse, por deri më tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për ta parandaluar zgjerimin e deponisë së paligjshme.

Ata theksojnë se përveç ndotjes së ambientit dhe prishjes së pamjes së fshatit, kjo situatë krijon edhe imazh negativ për të gjithë ata që kalojnë në atë zonë.

“Hyra në fshat duhet të jetë e pastër dhe dinjitoze për banorët që jetojnë këtu, jo vend ku grumbullohen mbeturina”, thuhet në reagimin e banorëve.

Ndërkaq, KosovaNews ka kontaktuar dërguesin e reagimit për të pyetur nëse janë ankuar tek institucionet kompetente lidhur me këtë situatë.

Ai ka deklaruar se banorët janë ankuar në Komunën e Dragashit, e cila udhëhiqet nga Bexhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por sipas tij deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje./KosovaNews/

The post Xheladini i LDK-së, hesht para deponisë së egër në Mlikë – banorët hasin në vesh të shurdhër appeared first on KosovaNews.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!