NACIONALE

VV-ja reagon ndaj PZAP dhe Gjykatës Supreme: U bënë vegla e bllokimit të sheshit “Skënderbeu” duke na mohuar të drejtën për tubim

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme, duke i akuzuar se janë bërë “vegla të bllokimit” të Sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë dhe se po ia mohojnë kësaj partie të drejtën për tubim publik.

Sipas reagimit të VV-së, Partia Demokratike e Kosovës kishte dorëzuar kërkesë për shfrytëzimin e sheshit më 30 prill, dhjetë ditë para se të konstituohej Komisioni Komunal i Zgjedhjeve – organi kompetent për dhënien e lejeve për tubime zgjedhore.

“Dhe tash kjo kërkesë po trajtohet sikur është leje e fituar”, thuhet në reagim.

VV-ja pretendon se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin, duke dorëzuar kërkesën më 8 maj, ditën kur Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë ishte konstituuar zyrtarisht.

“Pra, e para që ka kërkuar leje nga organi kompetent. Por ligji, si duket, nuk vlen njëlloj për të gjithë”, deklaron kjo parti.

Sipas VV-së, logjika që po vendoset me këtë rast është “e rrezikshme”, pasi sipas tyre, mjafton që një subjekt të dorëzojë një kërkesë para krijimit të institucionit kompetent dhe ajo më pas të konsiderohet si e drejtë e fituar.

“Kjo nuk është procedurë. Kjo nuk është zbatim i ligjit. Kjo është shkelje e ligjit dhe manipulim i pastër”, thuhet më tej në reagim.

Lëvizja VETËVENDOSJE! paralajmëron se pranimi i këtij precedenti mund të krijojë situata absurde në të ardhmen, ku subjektet politike do të mund të rezervojnë hapësira publike për zgjedhje që mund të mbahen edhe pas vitesh, duke ua mohuar të tjerëve të drejtën për tubim para se të ekzistojë organi kompetent për shqyrtimin e këtyre kërkesave.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!