VV-ja dakordohet në parim për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur dakordim në parim për shpalljen e procesit të zgjedhjeve të brendshme, pas një mbledhjeje me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë dhe në mërgatë.
Në mbledhjen e mbajtur në zyrën qendrore të Lëvizjes morën pjesë kryetari i saj, njëherësh kryeministri Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama, koordinatori i qendrave Salih Zyba dhe anëtarë të Kryesisë Qendrore.
Sipas njoftimit të VV-së, gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale politike, zhvillimet institucionale, prioritetet e qeverisjes dhe angazhimet politike e organizative të partisë për periudhën e ardhshme.
Kurti falënderoi strukturat organizative, drejtuesit e qendrave, aktivistët dhe anëtarësinë në Kosovë e në mërgatë për punën dhe përkushtimin e tyre.
“Angazhimi i tyre, nga secila lagje e fshat, në çdo komunë të Kosovës dhe gjithandej mërgatës sonë, ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të forcës politike dhe organizative të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftim.
Sipas VV-së, përgjegjësitë e saj në periudhën e ardhshme lidhen me punën institucionale, zbatimin e zotimeve programore dhe avancimin e reformave.
“Me konsolidimin e institucioneve të Republikës, synimet dhe përgjegjësitë tona janë të qarta, punë e përditshme, e ndershme dhe e palodhshme në shërbim të qytetarëve, zbatim i zotimeve tona programore dhe avancim i reformave që fuqizojnë shtetin, zhvillojnë ekonominë dhe përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Një pjesë e rëndësishme e mbledhjes iu kushtua çështjeve të brendshme organizative, veçanërisht procesit të zgjedhjeve të brendshme. Pas diskutimeve me drejtuesit e qendrave dhe anëtarët e Kryesisë, u arrit dakordim në parim për shpalljen e këtij procesi.
Në njoftim, zgjedhjet e brendshme cilësohen si një proces i rëndësishëm demokratik për ripërtëritjen dhe fuqizimin e strukturave partiake.
“Ato janë mundësi për mobilizim më të fuqishëm organizativ, për zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë, për avancimin e kuadrove dhe për forcimin e lidhjes së drejtpërdrejtë të Lëvizjes me qytetarët në çdo nivel të organizimit”, thuhet në njoftim.
VV-ja thekson se synon që përmes këtij procesi t’i forcojë qendrat e saj në komuna dhe të përgatitet për angazhimet e ardhshme politike, veçanërisht në nivel lokal.
“Qytetarët tanë kanë nevojë për qeverisje lokale që vendos interesin publik mbi interesat e ngushta, që sjell zhvillim të barabartë, shërbime cilësore, transparencë dhe përgjegjshmëri”, thuhet në njoftim.
Në përfundim, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka theksuar synimin për forcimin e organizimit dhe shtimin e angazhimit në shërbim të qytetarëve.
“Organizim më i fortë, angazhim më i madh dhe më shumë punë për qytetarët, në çdo komunë të Republikës, në secilën lagje e fshat”, përfundon njoftimi.



