VV dënon ashpër sulmin ndaj Hysni Mehanit në Skënderaj
KosovaNews raportoi pak më parë ekskluzivisht se kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka sulmuar fizikisht kryetarin e Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehanin, në një kafeteri në qendër të qytetit.
Pas këtij incidenti, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas njoftimit të LVV-së, ngjarja ka ndodhur në kafeterinë “Solo”, derisa Mehani ishte duke qëndruar me deputeten Arjeta Fejza dhe disa aktivistë të partisë. Në reagim thuhet se në incident janë përfshirë kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe shoqëruesit e tij.
LVV pretendon se Mehani fillimisht është goditur me grusht dhe më pas me gotë në kokë. Gjithashtu, sipas tyre, sekretari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, është sulmuar gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Partia ka bërë të ditur se Hysni Mehani po merr trajtim mjekësor, ndërsa ka kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë që rasti të trajtohet me urgjencë dhe të ndërmerren veprime ligjore ndaj përgjegjësve.
Në reagim, LVV ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si akt të papranueshëm dhe duke kërkuar edhe reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me rastin.
The post VV dënon ashpër sulmin ndaj Hysni Mehanit në Skënderaj appeared first on KosovaNews.



