NACIONALE

Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Vukovarin: Serbisë i kërkon hapjen e arkivave të luftës

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Vukovarin, me të cilën nderohen viktimat e krimeve të kryera në këtë qytet. Me këtë rezolutë, Serbisë i bëhet thirrje që të mundësojë qasjen në arkivat përkatëse të luftës dhe të publikojë të gjitha informacionet e disponueshme për lokacionet e varrezave individuale dhe masive.

Rezoluta u iniciua nga eurodeputetë kroatë të grupeve të ndryshme politike në PE dhe u miratua në 35 vjetorin e rënies së Vukovarit.

Deputetët e Parlamentit Evropian marrin pjesë në një votim në Parlamentin Evropian në Bruksel, më 12 nëntor 2026. Foto: EPA/OLIVIER MATTHYS.

“Vukovari është një kujtesë”

Në tekstin e rezolutës thuhet se Vukovari është një kujtesë dhe se parimi “kurrë më” nuk mund të merret si i mirëqenë. Ky parim buron nga shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore dhe është në thelb të projektit evropian.

Tragjedia e Vukovarit, siç theksohet më tej, zbuloi se sa e brishtë është paqja në Evropë dhe cilat janë pasojat kur ajo nuk mbrohet me kohë.

PE-ja thekson se pranimi i krimeve, respektimi i viktimave dhe përcaktimi i fatit të personave të zhdukur janë thelbësore për pajtimin e qëndrueshëm dhe për drejtësi për të gjitha viktimat e luftërave të zhvilluara pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Me këtë rezolutë, PE-ja dënon ashpër mohimin, minimizimin ose madhërimin e krimeve të luftës, përfshirë nderimin publik të kriminelëve të dënuar të luftës. Në veçanti, dënon nderimet që iu bënë Ratko Mlladiqit gjatë varrimit të tij në Beograd, më 7 shtator 2026. Mlladiqi ishte dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Qytetarët në Beograd duke pritur në radhë për t’i bërë homazhe Mlladiqit, 7 shtator 2026. Foto: Oliver Bunic (AFP).

Lëvizja studentore thotë se projekt-rezoluta, e cila shënon 35-vjetorin e rënies së një qyteti kroat, ofron vetëm një “interpretim të njëanshëm të së kaluarës” dhe shpërfill vuajtjet e serbëve në vende të tjera gjatë luftës në Kroaci.

35 vjet nga rënia e Vukovarit

Mbrojtja e forcave kroate në Vukovar u thye më 18 nëntor 1991, pas 87 ditësh luftimesh të ashpra dhe shkatërrimesh.

Kontrollin mbi qytetin e morën Ushtria Popullore Jugosllave e asaj kohe dhe njësitë paramilitare. Pasi hynë në qytetin pothuajse tërësisht të shkatërruar, pasoi dëbimi i popullsisë, dërgimi i të burgosurve në kampe dhe krime të rënda lufte. Ndër to ishte edhe masakra në Ovçara, ku u vranë rreth 260 persona, kryesisht të plagosur, të sëmurë dhe civilë të dërguar nga spitali i Vukovarit.

Reagim i Lëvizjes Studentore kundër rezolutës

Pas publikimit të draft-rezolutës, Lëvizja Studentore në Serbi njoftoi se nuk pajtohet me përmbajtjen e tekstit. Sipas vlerësimit të kësaj lëvizjeje, dokumenti nuk kontribuon në pasqyrimin objektiv të ngjarjeve historike, as në pajtimin mes popujve të ish-Jugosllavisë.

Në njoftimin e publikuar në rrjetin X, thuhet se me propozimin e rezolutës janë shpërfillur pothuajse plotësisht vuajtjet e popullsisë civile serbe në Kroaci, përfshirë vrasjet, dëbimet, shkatërrimin e pronës dhe eksodin masiv.

Aty thuhet po ashtu se nga pasqyrimi i kësaj periudhe nuk mund të përjashtohen ngjarje si operacionet “Bljesak” dhe “Oluja”, si dhe krimet ndaj civilëve serbë.

Nga Lista Studentore që fitojë zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Serbi në tetor, vlerësohet se “përgjegjësia për krimet e luftës duhet të jetë individuale dhe të përcaktohet në bazë të provave dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë, e jo t’u atribuohet popujve të tërë”.

Sipas kësaj liste, pajtimi i vërtetë është i mundur vetëm përmes përballjes së sinqertë me të gjitha krimet, pavarësisht se kush i ka kryer dhe ndaj kujt janë kryer, ndërsa propozimi i rezolutës në formën aktuale vlerësohet se nuk kontribuon në një kulturë të ekuilibruar të kujtesës dhe nuk i përfshin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe objektive vuajtjet e të gjithë popujve gjatë luftërave të viteve ’90.

Burimi: EuropeanParliament, REL, BalkanInsight.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!