NACIONALE

Muja: Integrimi evropian udhërrëfyes për reformat në bujqësi

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, mori pjesë në hapjen e Forumit për Politikat Bujqësore (Agricultural Policy Forum – APF) 2026, i cili po mbahet në Prishtinë më 3 dhe 4 qershor, nën temën “Koherenca e Politikave Bujqësore në Evropën Juglindore: Dinamika e Integrimit në BE, Reformat Institucionale dhe Përshtatja ndaj Klimës”.

Forumi, i organizuar nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka mbledhur përfaqësues të institucioneve qeveritare, organizatave ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, partnerëve zhvillimorë, akademisë dhe ekspertëve të sektorit bujqësor nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

Në fjalën e tij, Muja theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave që e afrojnë sektorin bujqësor me standardet e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar integrimin evropian si parimin kryesor që udhëheq zhvillimin e politikave bujqësore dhe rurale.
“Për Kosovën, përafrimi me Bashkimin Evropian mbetet korniza qendrore që udhëheq reformat tona në bujqësi dhe zhvillim rural. Ne nuk e konsiderojmë integrimin evropian si një detyrim, por si një parim udhëzues për transformimin e bujqësisë sonë. Kosova është e gatshme të kontribuojë më shumë, të marrë pjesë në të gjitha programet evropiane që lidhen me bujqësinë dhe të harmonizojë politikat e saj me standardet e Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike po kanë ndikim gjithnjë e më të madh tek fermerët tanë, duke ndikuar në prodhim, rendimente dhe sigurinë ushqimore. Për këtë arsye, ne po investojmë fuqishëm në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes, si një nga masat kryesore për t’i ndihmuar fermerët të përballen me efektet e ndryshimeve klimatike dhe për të rritur qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor”, tha Muja.

Ai theksoi se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reformuar skemat e subvencioneve dhe granteve për t’i harmonizuar ato me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP), duke dëshmuar përkushtimin institucional për avancimin e procesit integrues.

Ministri në detyrë Muja vuri në pah se ndryshimet klimatike, sfidat e sigurisë ushqimore, paqëndrueshmëria e tregjeve dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit kërkojnë veprim të koordinuar dhe bashkëpunim më të fuqishëm rajonal, duke theksuar se përshtatja ndaj këtyre sfidave duhet të jetë prioritet për të gjitha vendet e rajonit.

Gjatë forumit po trajtohen temat më të rëndësishme për të ardhmen e bujqësisë në rajon, përfshirë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, monitorimin e politikave bujqësore në kuadër të Kapitullit 11, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, ripërtëritjen brezore në bujqësi, biodiversitetin dhe pylltarinë, menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi, zhvillimin e sistemeve të njohurive dhe inovacionit në bujqësi (AKIS), si dhe avancimin e harmonizimit të politikave dhe reformave institucionale në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në përmbyllje, Muja theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimit të reformave që kontribuojnë në një sektor bujqësor më konkurrues, më të qëndrueshëm dhe më të përgatitur për integrimin evropian.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!