NACIONALE

Kuvendi i Kosovës konstituohet, zgjidhen katër nënkryetarë

Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e LDK-së, komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.
Pas përfundimit të votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka konstatuar se legjislatura e XI e Kuvendit të Kosovës konsiderohet e konstituuar.
“Me këtë rast konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar. Shihemi në seancën e radhës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se, përkundër thirrjeve të sërishme që Partia Demokratike e Kosovës të marrë pjesë në seancë, deputetët e kësaj partie nuk ishin të pranishëm.
Haxhiu ka thënë se, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, askush nuk mund ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit.
Në seancë, Kujtim Shala është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit me 75 vota për.
Nga komuniteti serb, Tanja Vujoviq është zgjedhur nënkryetare me 62 vota për, gjashtë kundër dhe tri abstenime.
Ndërsa nga komunitetet joshumicë joserbe, Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare me 70 vota për dhe shtatë abstenime.
Haxhiu ka bërë të ditur gjithashtu se deputetët do të njoftohen për formimin e grupeve parlamentare.
Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi ka përmbyllur seancën konstituive të legjislaturës së re.

Kuvendi i Kosovës ka nisur vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa në sallë ishin të pranishëm 82 deputetë.
Pas hapjes së punimeve nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ajo ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk është e pranishme për të paraqitur propozimin e saj për nënkryetar, ndonëse, sipas saj, ishte e njoftuar për seancën.
Haxhiu tha se kjo është hera e tretë që PDK nuk mer pjesë në seancë për të paraqitur kandidatin e saj për pozitën e nënkryetarit.
“Kuvendi nuk mund të mbetet peng i asnjë subjekti politik. Vazhdojmë me propozimin e LDK-së”, ka deklaruar Haxhiu.
Më pas, në votim është hedhur kandidatura e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për nënkryetar të Kuvendit, Kujtim Shala.
Shala është zgjedhur nënkryetar me 75 vota për, 1 kundër dhe 4 abstenime.

The post Kuvendi i Kosovës konstituohet, zgjidhen katër nënkryetarë first appeared on KosovaNews.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!