Kurti u bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që nesër, më 8 nëntor, të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote, ndërsa për 29 vende në këtë institucion garojnë katër lista me gjithsej 107 kandidatë.
Ai ka theksuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.
Kurti ka vënë në pah rëndësinë e këtij institucioni në përfaqësimin e shqiptarëve, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Ai ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.
Kreu i Qeverisë ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët e këtyre tri komunave përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë, si dhe mbështetjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.
Në fund, Kurti i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votës, lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre.



