Kryeministri Kurti diskuton me ambasadorin hungarez për bashkëpunimin ekonomik
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, i cili e ka uruar për zgjedhjen e presidentes së re, Justina Shiroka-Pula.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin e Hungarisë në Kosovë, duke theksuar rolin e saj në proceset integruese, si dhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale përmes kontributit me trupa në kuadër të KFOR-it.
Sipas njoftimit të zyrës për informim të Kryeministrit, në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, përmes organizimeve të përbashkëta që mund të nxisin investimet dhe të forcojnë lidhjet ndërmjet bizneseve.
Gjithashtu u bë e ditur se numri i bursave të programit hungarez Stipendium Hungaricum për studentët nga Kosova është rritur në 75 në vit, për studimet bachelor, master dhe doktoraturë.
Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ndodhet në vizitë zyrtare në Budapest, ku pritet të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë së Hungarisë.
The post Kryeministri Kurti diskuton me ambasadorin hungarez për bashkëpunimin ekonomik first appeared on KosovaNews.



