Haxholli propozon formulën për diplomacinë: Balancë mes politikës dhe karrierës për ambasadorët e rinj
Fatmir Haxholli, kryetar i Sindikatës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka propozuar një qasje të re për rifreskimin e shërbimit diplomatik, duke kërkuar ndërthurjen e “çelësit politik” me atë të karrierës në procesin e rotacionit.
Sipas tij, për të siguruar funksionalitet dhe përfaqësim efikas në misionet diplomatike dhe konsullore, duhet të bëhet një ndarje e balancuar: të paktën 12 shefa të rinj misionesh të emërohen sipas çelësit politik dhe 15 të tjerë nga radhët e karrierës, ku 10 prej tyre do të ishin për herë të parë në këto pozita.
Haxholli thekson se në diplomacitë e konsoliduara ndërkombëtare, një balancë e tillë konsiderohet thelbësore për ruajtjen e vazhdimësisë institucionale, garantimin e sigurisë strategjike dhe rritjen e efikasitetit në përfaqësim.
Ai vlerëson se Kosova, gjatë 17–18 viteve të ndërtimit të shërbimit diplomatik, ka krijuar një kapital të rëndësishëm profesional që mbështet objektiva strategjike, si anëtarësimi në NATO, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, si dhe zhvillimin e diplomacisë ekonomike, publike dhe fuqizimin e diasporës.
Në këtë kontekst, ai thekson se procesi i rotacionit duhet të garantojë një ekuilibër funksional mes profileve politike – të nevojshme për misionet me ndjeshmëri të lartë strategjike – dhe diplomatëve të karrierës, të cilët sigurojnë profesionalizëm, stabilitet dhe vazhdimësi institucionale.
Haxholli ka përmendur edhe një listë të gjerë emrash që, sipas tij, duhet të konsiderohen për herë të parë për pozitat e shefave të misioneve diplomatike, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të sjellë energji dhe perspektivë të re në shërbimin diplomatik.
Ndërkohë, ai ka vlerësuar si “shtyllë të fuqishme” edhe një grup ambasadorësh aktualë dhe ish-ambasadorësh, duke theksuar rolin e tyre në konsolidimin e diplomacisë së vendit.
Në fund, Haxholli nënvizoi se ndërtimi i një shërbimi diplomatik efektiv kërkon një balancim të kujdesshëm mes përvojës, meritës dhe vendimmarrjes politike, me synimin për një përfaqësim shtetëror më të fuqishëm, kredibil dhe dinjitoz.
Postimi i Plotë
Një propozim për ndërthurjen e çelsit politik me atë të karrierës në rotacionin diplomatik!
Kombinimi i duhur për procesin aktual të rifreskimit, respektivisht rotacionit në shërbimin diplomatik, në funksion të plotësimit të misioneve diplomatike dhe konsullore, do të duhej të merrte në konsideratë emërimin e së paku:
• 12 shefave të ri të misioneve sipas çelësit politik; dhe,
• 15 shefave të misioneve sipas çelësit të karrierës (prej të cilëve 10 për herë të parë).
Në diplomacinë e konsoliduar, shërbimin e konsoliduar diplomatik, balanca ndërmjet emërimeve politike dhe atyre të karrierës përbën një shtyllë thelbësore të vazhdimësisë institucionale, sigurisë strategjike dhe dinamizmit në përfaqësim.
Në 17–18 vitet e ndërtimit të shërbimit diplomatik, Kosova ka konsoliduar një kapital profesional që mbështet objektiva strategjike si: NATO, BE, KiE, diplomacia ekonomike, lobimi, diplomacia publike dhe fuqizimi i diasporës.
Në këtë kontekst, procesi i rotacionit duhet të sigurojë një ekuilibër funksional ndërmjet:
• profileve politike (misione me ndjeshmëri të lartë dhe dimension strategjik), dhe
• profileve të karrierës (vazhdimësi, profesionalizëm dhe stabilitet institucional).
Andaj nuk është risi as gjë e madhe të thuhet se tashmë në MPJD për konsiderim si shefa misioni për herë të parë, do të ishte me shumë rëndësi të përfshihen disa nga kolegët në vijim:
Arjan Kashtanjea, Artan Duraku, Asdren Gashi, Avni Hasani, Blerim Xhemajli, Dren Zeka, Fatmire Musliu, Fitim Sadiku, Fitor Murati, Hamdi Reçica, Ilir Muçaj, Kaltrina Ademi, Korab Mushkolaj, Mirjeta Behluli, Mentor Tahiri, Xhelal Shaqiri, Mustafë Avdiu, Prindon Sadriu, Visar Fetaj.
Përderisa nga kontigjenti aktual i ambasadorëve që kanë shërbyer apo shërbejnë do të ishin shtyllë e fuqishme kolegët:
Albesjana Iberhysaj, Astrit Zemaj, Faruk Ajeti, Guner Urea, Lendita Haxhitasim, Valdet Sadiku, Ylber Kryeziu.
Shërbimi efektiv diplomatik kërkon një balancim të matur ndërmjet përvojës, meritës dhe vendimmarrjes politike, me qëllim të garantimit të një përfaqësimi shtetëror të fuqishëm, kredibil dhe dinjitoz.
Me shkuarjen e ish presidentes, znj. Osmani, kjo është një mundësi ideale e krijuar për MPJD-në, a cila shpresojmë që nuk do shkoj në pakathim!
The post Haxholli propozon formulën për diplomacinë: Balancë mes politikës dhe karrierës për ambasadorët e rinj appeared first on KosovaNews.



