Haxhiu takon shefen e re të Zyrës së Greqisë, diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit e rrugën evropiane
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Vaiani Gaidatzi.
Sipas njoftimit të Haxhiut në Facebook, gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy parlamenteve.
Haxhiu ka thënë se vëmendje të veçantë i është kushtuar rrugës evropiane të Kosovës, veçanërisht në prag të presidencës greke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Ajo ka vlerësuar mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit dhe ka theksuar rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.



