Haxhiu: Byroja do të verifikojë pasurinë e zyrtarëve edhe pas kryerjes së mandatit
Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar do të merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, përfshirë edhe pasuritë që mund të jenë kaluar te persona të tretë. Në rastet kur pasuria nuk mund të justifikohet me të ardhurat, Byroja do t’i drejtohet gjykatës për konfiskimin e saj.
Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila e ka cilësuar këtë ligj ndër më të rëndësishmit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo ka shpjeguar se Byroja nuk do të ketë kompetencë të konfiskojë drejtpërdrejt pasurinë, pasi vendimin përfundimtar do ta marrë gjykata.
“Kur ka shpërputhje nga të ardhurat, pra paga e zyrtarit, dhe në anën tjetër pasuria, atëherë kërkon që ajo pasuri të arsyetohet, të justifikohet. Pra, ku është burimi, prej nga është blerë banesa, prej nga është blerë kerri, prej nga është blerë shtëpia në bregdet”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, Byroja mund të nisë verifikimin e pasurisë në bazë të deklarimeve të zyrtarëve, me iniciativë të vetë institucionit, pas raportimeve nga institucionet ose nga palët e treta, përfshirë qytetarët.
“Në rrethanat kur ne nuk mund ta justifikojmë pasurinë që e kemi krijuar, atëherë Byroja kërkon nga gjykata që pasuria e tillë të konfiskohet. Pra, do të jetë vendim i gjykatës”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se ligji do të zbatohet ndaj zyrtarëve publikë edhe pas përfundimit të mandatit të tyre, si dhe ndaj personave të tretë te të cilët dyshohet se është kaluar pasuria për ta fshehur atë.
Ajo ka theksuar se ligji nuk synon të përfshijë të gjithë qytetarët, por zyrtarët që dyshohet se kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme duke keqpërdorur detyrën zyrtare.
Para se ligji të procedohet për dekretim te presidentja, duhet të kalojë afati tetëditor brenda të cilit deputetët dhe palët e tjera të autorizuara mund ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese. Haxhiu ka thënë se pas hyrjes në fuqi të ligjit, Kuvendi do ta zgjedhë drejtorin e Byrosë, ndërsa e rëndësishme do të jetë përzgjedhja e stafit me integritet të lartë moral dhe profesional.
Sipas saj, ky mekanizëm duhet të shërbejë edhe si masë parandaluese, në mënyrë që askush të mos e shohë politikën si mundësi për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme.
Haxhiu për protestat në Shqipëri: Dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar ndaljen e dhunës gjatë protestave në Shqipëri dhe dëgjimin e kërkesave të studentëve.
Ajo ka thënë se institucionet duhet të zhvillojnë takime me protestuesit dhe të shqyrtojnë kërkesat e tyre, duke theksuar se protestat janë e drejtë demokratike. “Nuk është e lehtë me parë dhunën as kundrejt protestuesve dhe as kundrejt policëve të cilët janë të uniformuar. Prandaj edhe kemi kërkuar që dhuna të ndalet nga të dyja palët dhe të dëgjohen kërkesat e studentëve”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka mohuar pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje ka nxitur qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në protestat në Shqipëri. “Asnjëherë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë thirrje as publike e as jopublike që të marrin pjesë qytetarët e Kosovës në këto protesta. Prandaj nuk mund të mbahet përgjegjëse Vetëvendosja”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka vlerësuar se pretendimet për përfshirjen e Vetëvendosjes në organizimin e protestave mund të ndikojnë në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo ka thënë se Kosova i sheh zhvillimet në Shqipëri si çështje që e prekin edhe atë, duke shprehur dëshirën që situata të qetësohet dhe duke ofruar gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim.
Haxhiu për zhvillimet në Serbi: Është herët të flitet për qasjen ndaj Kosovës
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se ende është herët të vlerësohet se çfarë qasjeje do të ketë udhëheqja e re në Serbi ndaj Kosovës, pasi qëndrimet e listës studentore për këtë çështje nuk janë bërë ende të qarta.
Ajo ka mirëpritur rënien e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, duke e cilësuar zhvillim të rëndësishëm, por ka thënë se mbetet të shihet nëse do të ketë ndryshim të politikës së Serbisë ndaj Kosovës. “Ne vlerësojmë faktin që regjimet autoritare si regjimi i Vuçiqit bien, pra ku ka ndëshkim të popullit, të qytetarëve për këto regjime autoritare”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur pengesat që, sipas saj, Serbia ia ka shkaktuar Kosovës ndër vite, si dhe sulmet në Banjskë dhe ndaj infrastrukturës së Ibër-Lepencit, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, policëve dhe qytetarëve. Haxhiu ka thënë se nuk ka ende siguri nëse ndryshimet politike në Serbi do të sjellin njohjen e Kosovës, pranimin e krimeve të kryera gjatë luftës apo ndërprerjen e pengesave për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
“Unë nuk është që mund të them që ne kemi plot besim që qasja, mentaliteti atje do të ndryshojë, do të njihet Republika e Kosovës, nuk do të pengohet Republika e Kosovës, do të pranohen krimet, do të dorëzohet në Kosovë kryeterroristi Milan Radoiçiq dhe grupi i tij”, ka thënë ajo. Ajo ka shtuar se duhet të pritet për të parë se cilat do të jenë qëndrimet dhe veprimet e udhëheqjes së re në raport me Kosovën.



