NACIONALE

Gola i përgjigjet Sadikut: “Të quash një grup të pakulturuar e të paarsimuar është paragjykim me gjuhë elitiste dhe dozë raciste”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka reaguar ndaj deklarimeve të kolegut të tij, Ermal Sadiku, duke i cilësuar si paragjykim dhe gjuhë elitiste komentet për përkatësinë kulturore e arsimore të një grupi politik.

Gola ka thënë se kultura dhe arsimi nuk maten sipas përkatësisë partiake, ndërsa ka vlerësuar se një qasje e tillë mund të marrë edhe “dozë të theksuar raciste”.

Duke iu referuar mbështetjes që mori nga opozita në Kuvend, Gola ka deklaruar se do të mund ta votonte Vlora Çitakun, por ka theksuar se vota parlamentare nuk përbën “borxh personal që kthehet pesë minuta më vonë”.

“Unë i falënderoj opozitën për vlerësimin dhe mbështetjen”, ka shkruar Gola, duke shtuar se nuk beson se kjo votë reflekton domosdoshmërisht vlerësimin e tyre për karakterin e tij politik, por një qëndrim ndaj një procesi të caktuar politik.

Gola ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, opozita e ka trajtuar personalisht në të kaluarën, duke përmendur sulmet ndaj tij më 12 gusht të këtij viti.

Në reagimin e tij, deputeti i VV-së është ndalur edhe te funksionimi i grupeve parlamentare. Ai ka argumentuar se një grup politik nuk përcaktohet vetëm nga fakti se deputetët ulen në të njëjtën anë të sallës, por nga aftësia për të krijuar qëndrim të përbashkët dhe për ta shndërruar atë në votë.

Gola ka marrë si shembull edhe LDK-në, duke thënë se përçarjet e brendshme dhe pamundësia për ta garantuar votën e deputetëve për një marrëveshje që synonte shmangien e zgjedhjeve treguan, sipas tij, se mandatet humbin peshën politike kur nuk mund të shndërrohen në votë të unifikuar.

Ai ka kritikuar atë që e quan “standard të dyfishtë” ndaj disiplinës partiake.

“Kur LV-ja e mban votën të bashkuar, quhet ‘nënshtrim’ e ‘direktivë partiake’; kur të tjerët nuk arrijnë ta mbajnë të bashkuar të tyren, fragmentimi shpallet ‘liri e deputetit’”, ka deklaruar Gola.

Në fund, deputeti ka mbrojtur integritetin e tij politik, duke thënë se gjatë më shumë se pesë vjetëve në jetën parlamentare ka dëshmuar integritet, guxim dhe dije.

“Më pak etiketime për njerëzit, më pak moralizim të qëndrimeve dhe më shumë debat për qëndrimet politike. Aty le të përballemi”, ka përfunduar Gola.

The post Gola i përgjigjet Sadikut: “Të quash një grup të pakulturuar e të paarsimuar është paragjykim me gjuhë elitiste dhe dozë raciste” first appeared on KosovaNews.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!